SHBA, 10 të arrestuar, dyshohen si agjentë rusë

29/06/2010 04:10

Kur ende nuk është mbushur java nga vizita e presidentit rus, Dmitri Medvedev në SHBA, Departamenti i Drejtësisë njoftoi se 10 persona u ndaluan nën akuzën e spiunazhit në favor të Rusisë. (UPDATE)

Të njëjtat burime njoftuan gjithashtu se të 10 agjentët e dyshuar do të akuzohen për spiunazh në favor të një qeverie tjetër, ndërkohë që mbi 9 prej tyre rëndon edhe akuza e pastrimit të parave.

Sipas një zëdhënësi të Departamentit të Drejtësisë të 10 të ndaluarit kanë kryer stërvitjen bashkërisht. Detyrat e tyre ishin të ndara, disa merreshin edhe me rekrutimin e agjentëve të rinj. Megjithatë autoritetet amerikane shprehen se asnjë prej tyre nuk ka mundur të marrë informacione sekrete prej SHBA-së.

Mes materialeve të bllokuara prej të arrestuarve, sipas federalëve amerikanë ndodhen dokumente me urdhëra dhe udhëzime të marra direkt nga Moska.

“Edukimi juaj, llogaritë bankare, makina, shtëpia dhe shumë gjera të tjera ju nevojiten vetëm për një qëllim, të përmbushni misionin tuaj, të krijoni dhe të zhvilloni lidhjet me autoritetet amerikane të sigurisë dhe të dërgoni raportet tuaja”, thuhet në një dokument të dëshifruar prej agjentëve amerikanë.

Njoftohet gjithashtu se që të 10 të ndaluarit ndodheshin të maskuar në SHBA të shpërndarë në profesione të ndryshme, ku përfshiheshin gazetari dhe biznesmenë.

Ende nuk ka një reagim zyrtar prej Moskës, ndërkohe që arrestimet mund të çojnë në një incident diplomatik mes dy superfuqive vetëm pak ditë nga takimi miqësor i zhvilluar mes presidentit amerikan Obama dhe atij rus Medvedev.

FOTO GALERI
1/1
Vizatim i të ndaluarve që dolën para gjykatës ditën e hënë

Top Channel