E ndërsa Besëlidhja, Kuq e Zi e 2 Marsit, thirrur nga presidenti Ilir Meta po afron, kreu i shtetit është hedhur në një ofensivë takimesh me ndërkombëtarët.

Gazetari i Top Channel Muhamed Veliu raporton se paraditen e të enjtes presidenti ka zhvilluar një takim me tre ambasadorë.

Burime nga presidenca i thanë Top Channel se në këtë takim ishin ambasadorët e Holandës, Suedisë dhe Spanjës.

Vetë presidenti u ka bërë një prezantim në gjuhën angleze të atyre që i cilëson si fakte se një grusht shteti është konsumuar, nga maxhoranca për kapjen e Gjykatës Kushtetuese.

Takimi ka zgjatur 90 minuta.

Gazetari Muhamed Veliu thotë se përmes këtij turi takimesh me ndërkombëtarët presidenti synon t’i bindë ata se Besëlidhja e 2 Marsit është një akt legjitim dhe i domosdoshëm për Shqipërinë.

Në ditët në vijim presidenti Meta do të takohet edhe me diplomatë të tjerë.

Ndërkohë Top Channel ka mësuar se përballë kësaj situate të re ku kreu i shtetit merr në dorë flamurin e opozitarizmit, pritet që në delagacionin e BE në Tiranë gjatë ditëve të ardhshme, të organizohet një takim urgjent me të gjithë ambasadorët e vendeve të BE nga ku do të dilet me një qëndrim të unifikuar për 2 Marsin presidencial.

Ndërkombëtarët për momentin nuk e kanë komentuar këtë iniciativë të presidentit.

Megjithatë pas takimit me presidentin Ilir Meta javën e shkuar, ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim tha se “presim që udhëheqësit shqiptarë të sillen në mënyrë të tillë që të jetë e përgjegjshme dhe për të mirën e popullit shqiptar. Ne e sigurojmë popullin shqiptar se ne do të jemi aty për të vëzhguar dhe kontribuar”.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel