PS-PD dakordësi për ‘Zgjedhoren’, palët bien dakord të organizojnë tryeza me ekspertët e ODIHR dhe seanca dëgjimore

03/06/2026 19:47

Reforma zgjedhore po ecën me hapat e breshkës, por me frymën e konsensusit PS-PD. Në pritje të opinionit të Venecias për financimin e partive politike, palët kanë rënë dakord të organizojnë tryeza me ekspertët e ODIHR për çështje që për opozitën janë thembra e Akilit e proceseve zgjedhore.

“Ajo që po del nga raportet e BE-së, qoftë raporti i Komisionit të Jashtëm apo i radhës, është ndarja e shtetit nga partia në pushtet. Madje thuhet se ndarja e institucioneve shtetërore nga strukturat e partisë në pushtet janë probleme thelbësore”, u shpreh bashkëkryetari demokrat i reformës zgjedhore Oerd Bylykbashi.

“Na është kërkuar nga ODIHR-i, se ndryshe ne do të rrinim në llogoren tonë, të organizojmë workshop-e me ekspertët e tyre, sepse është e vështirë ajo çka ndalohet në zgjedhje dhe çfarë lejohet. Sepse njëri do ta bllokojë shtetin fare, mazhoranca mbase s’do asnjë frenim. Duhet të gjejmë një ekuilibër. Megjithatë, të mos hyjmë në tema, do të kemi kohë për debate të tilla”, u shpreh Gjiknuri.

Jo vetëm ndërkombëtarët, dy bashkëkryetarët Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi janë të mendimit që të zhvillohen seanca dëgjimore edhe me organet e reja të drejtësisë, për parandalimin e krimeve zgjedhore.

“Besoj se një konsultë, qoftë me SPAK-un, me Prokurorinë e Përgjithshme, qoftë me Policinë e Shtetit dhe organet e tjera ligjzbatuese, do të ishte e nevojshme”, shtoi Gjiknuri.

“Një pjesë e tyre ngritën një task-forcë që nuk funksionoi. Çfarë kanë nevojë, çfarë duan, cilat janë ndryshimet ligjore që duan të na thonë, që të gjejmë një mekanizëm që funksionon si frenues për veprat penale zgjedhore”, deklaroi Bylykbashi.

Më 13 qershor pritet që Komisioni i Venecias t’u japë përgjigje finale palëve për produktin e parë të reformës zgjedhore, ligjin për financimin e partive politike.

Top Channel