“Nuk sheh syri, sheh mendja”/ Rama reagon sërish për protestat për Zvërnecin: Kuptojeni kush vjen në Shqipëri, jo për ta prishur po vetëm për ta lartësuar
Ish-piloti australian i garave, Joey Mawson, është paraqitur para gjykatës në Zvicër, i akuzuar për përdhunimin e një infermiereje që punonte për familjen e legjendës së Formula 1, Michael Schumacher.
Sipas akuzës, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur më 23 nëntor 2019 në rezidencën e familjes Schumacher në Gland, pranë Gjenevës, pas një mbrëmjeje shoqërore ku morën pjesë disa anëtarë të stafit.
Infermierja pretendon se është përdhunuar dy herë ndërsa ishte pa ndjenja. Nga ana tjetër, Maëson i ka mohuar kategorikisht akuzat dhe ka deklaruar para gjykatës se marrëdhënia seksuale ka qenë me pëlqim.
Gjatë seancës gjyqësore, avokati i infermieres paraqiti mesazhe që, sipas raportimeve, Mawson i kishte dërguar gruas një ditë pas ngjarjes. Në to ai shkruante: “Më vjen sinqerisht keq. Më vjen keq për dhimbjen që po të shkaktoj.”
I pyetur se përse kishte kërkuar falje nëse gjithçka kishte qenë konsensuale, Mawson nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë. Ai deklaroi se kishte konsumuar shumë alkool dhe se nuk mbante mend pjesë të rëndësishme të asaj nate.
Sipas dosjes së prokurorisë, infermierja ishte ndier keq pas konsumimit të disa pijeve dhe ishte dërguar në dhomën e saj nga kolegët, ku kishte mbetur në gjumë. Hetuesit pretendojnë se më pas Mawson është kthyer në dhomë dhe ka kryer marrëdhënie seksuale me të ndërsa ajo ishte pa ndjenja.
Infermierja ka deklaruar se u zgjua pa kujtime të qarta nga nata dhe se më vonë iu nënshtrua ekzaminimeve mjekësore në spital. Dokumentet gjyqësore përmendin gjithashtu praninë e gjakut në çarçafë dhe dëmtime fizike që po shqyrtohen si pjesë e provave.
Asnjë anëtar i familjes Schumacher nuk është i përfshirë në çështje dhe, sipas raportimeve, ata nuk ndodheshin në rezidencë në kohën e ngjarjes së pretenduar.
Michael Schumacher, shtatë herë kampion bote në Formula 1, vazhdon të marrë kujdes të vazhdueshëm mjekësor pas aksidentit të rëndë në ski që pësoi në vitin 2013.
Procesi gjyqësor ndaj Joey Mawson vazhdon dhe ende nuk është dhënë një vendim nga gjykata.
Top Channel