Debate te “Territorialja”/ Deputetët socialistë përplasen gjatë dëgjesës me kryebashkiakët e qarkut Vlorë, Bido: Delvinës t’i kthejmë madhështinë e saj

03/06/2026 18:40

Në komisionin për reformën administrative u rikthye qetësia mes bashkëkryetarëve Mazniku dhe Boçi.

Por, teksa po zhvillohej dëgjesa me kryebashkiakët e qarkut Vlorë, u shënua një përplasje mes deputetëve socialistë të këtij qarku, Vasil Llajo dhe Ardit Bido, teksa ky i fundit po fliste për fshatrat e bashkisë Delvinë.

Bido: Dua të flas në lidhje me qarkun Vlorë dhe të ngre një pyetje edhe për katër kryetarët e bashkive që kemi sot këtu.

Dua të ndalem te një çështje specifike. Kam pasur fatin që kam qenë në reformën e fundit territoriale në vitin 2014, në cilësinë e një eksperti të jashtëm të komisionit të atëhershëm parlamentar. Dua të vendos në vëmendje një memorie të caktuar të ngjarjeve. Bashkitë Sarandë, Delvinë, Finiq, Konispol dhe Himarë janë krijuar jashtë kritereve të përcaktuara nga reforma territoriale, duke marrë për bazë faktin që ato janë bashki ku shumica e banorëve u përkasin një pakice të caktuar etnike.

Kjo krijoi një deformim të kritereve të përgjithshme të reformës. Saranda, për shembull, ka mbetur bashkia me diferencën më të vogël në Shqipëri dhe, ndërkohë që flasim për Sarandën e parametrave të asaj reforme, duhet të kishte edhe territore të tjera që ishin pjesë e Sarandës. Njësoj edhe për Konispolin dhe Delvinën.

Krijimi i një bashkie më vete nga komunat e rrethit të Delvinës dhe Sarandës krijoi një situatë të tillë ku bashkia e Delvinës mbeti në skajin e territorit të saj, ndërsa bashkia e Sarandës është shumë e pamjaftueshme. Fshatrat Pecë, Muzinë dhe Kardhikaq ishte planifikuar që t’i përkisnin bashkisë Delvinë, gjë që do ta bënte atë të aftë të qëndronte në këmbët e veta ekonomikisht.

Është propozuar asokohe edhe zgjerimi i Sarandës drejt fshatrave Nivicë dhe Shën Vasil. Është e domosdoshme që të korrigjojmë një pazar politik. Kjo zonë është lënë në këtë gjendje për shkak të një bashkie që u krijua jashtë normave krahinore, duke respektuar shumicën minoritare.

Është e domosdoshme që Delvinën ta kthejmë në madhështinë e vet, në atë që i takon. Ka disa fshatra që kanë shprehur dëshirën për të qenë pjesë e Delvinës dhe kjo nuk i dëmton.

Boçi: Zoti Llajo, prisni radhën tuaj.

Llajo: Duam të hyjmë në Europë me objektivin 2030. Po ju them se ka një konventë për mbrojtjen e minoriteteve dhe kjo i sqaron të gjitha. Emri Finiq është përmendur rreth 3 mijë vite më parë. Në lidhje me diskutimet për reformën territoriale, jam dakord që kryetarët e bashkive të kërkojnë që të ardhurat nga pasuritë lokale të shpërndahen. Kjo vlen edhe për zonën e Sarandës, ku ndodhet Syri i Kaltër, në mënyrë që të ketë mundësi të thithen të ardhura lokale dhe të realizohet një rishpërndarje e të ardhurave nga pasuritë lokale.

Kryebashkiakët e qarkut Vlorë kërkuan shtim të buxhetit në një kohë kur, gjatë sezonit të verës, këto qytete mbipopullohen nga turistët.

Top Channel