“Po portretizohemi sikur nuk duam zhvillim”, protestuesi në “Top Story”: Si mund të thuhet se ka 4 miliardë euro investim pa projekt?
Deputeti socialist Ardit Bido ka komentuar protestat e zhvilluara për të katërtën ditë radhazi në kryeqytet për projektin në Zvërnec, duke u shprehur se për të arsyeja e vërtetë e tubimit nuk është Zvërnci, por arsyet mjedisore.
I ftuar mbrëmjen e sotme në ‘Top Story’, socialisti u shpreh kundër protestës, duke shtuar se projekti 4 miliardë euro në Zvërnec do i shërbente shumë jo vetëm zhvillimit të turizmit në Shqipëri, por do ndikonte edhe në rritjen reale të GDP-së së vendit.
” Për mua është shumë e lehtë, sepse unë jam njeri bindjesh. Më vjen mirë që mediat i transmetojnë protestat. Një nga arsyet që këto janë kaq madhore është edhe faji i mediave që s’i kanë transmetuar në fillim. Po ashtu shoh një sërë problematikash në shoqëri.
Unë jam kundër protestës. Jam edhe politikani i parë që reagova për dhunën në Zvërnec. Pashë edhe politikanë të tjerë që u kujtuan pas dy ditësh, që nuk u acaruan nga videoja.
Sa i përket Zvërnecit, këtu është kundërshtia ime me protestën. Jam kundër. Në Zvërnec ne kemi këtë situatë: një pronë që banorët kërkojnë të zhvillohet, por kundërshtojnë pronësinë. Janë dy fise që pretendojnë pronën, janë edhe banorët që e pretendojnë atë me 7501. Protesta është kundër atyre banorëve. Arsyeja pse ajo protestë nisi as nuk përmendet nga askush. Ata banorë që kanë një pretendim konkret dhe ka pasur edhe disa zhvillime në SPAK, nuk janë objekt i këtij debati.
Nuk është Zvërneci arsyeja reale që nisi protesta. Është arsyeja mjedisore. Unë jam kundër për lumin e Vjosës. Jam kundër sepse argumentoj që është lumi i fundit i egër në Evropë. Ishin budallenj të gjitha shtetet që shfrytëzuan lumenjtë? Ne kemi lënë këtë gjë për arsye të insekteve dhe larvave të lumit Vjosa.
Duke mos qenë ambientalist si shumica e popullsisë, nuk jam sensitiv ndaj mjedisit kur vjen fjala për të ruajtur rërën apo karkalecin. Për mua vjen zhvillimi, pastaj ambienti.
Narta, unë si një person që i përkas 95% të njerëzve që nuk e kanë atë sensitivitet, në koncept të thjeshtë, u besoj shumë atyre që kanë ndodhur deri në vitet ’90, se mos më thonë edhe enverist pastaj. Çfarë është bërë pas viteve ’90 e vendos në dyshim.
Qëndrimi i PS-së mbi këtë projekt është që atje do të ruhet statusi i peizazhit të mbrojtur, para se të flasim për ndërtim. Unë 4 miliardë euro nuk i imagjinoj dot. Pesëmbëdhjetë për qind e PBB-së përkthehet në rritje mirëqenieje, rrogash, pagash dhe pensionesh në nivele shumë të larta. Investimi prej 4 miliardë eurosh do të krijojë një turizëm që nuk e kemi.
Një territor bosh, i cili nëse do të zhvillohet, do të na sjellë miliona euro. Mjafton të themi sa është rritur sot prona në bregdet.
Unë shoh që kemi pasur dy indicie që kanë qenë në shërbim të dikujt tjetër: reagimin e shtetit grek dhe mediave greke, si dhe mbi 5 mijë IP në rrjetet sociale. Bëjnë luftë hibride.
Sot nxora se, isha në një debat me kolegun tim të PS-së që nuk ma pranonte argumentin, gjë që unë nuk e kuptoj pse. Kemi 5 jahte në Gjirin e Vlorës dhe në Korfuz kemi mbi 1 mijë. Miliona euro janë atje.
Nëse kjo protestë do të ishte antiqeveritare, do të ishte genuine. Një protestë që lind për një përfitim tonin prej 4 miliardë eurosh, ndërkohë që grekët shprehen hapur se mërziten për këtë”, u shpreh Bido.
Top Channel