Pas shpalljes së ambasadorit Bernd Borchardt si i pa dëshiruar në zyrën e presidentit Ilir Meta vjen reagimi i parë nga zyra qendrore e OSBE në Vienë.

Gazetari Top-Channel, Muhamed Veliu përmes postës elektronike i kërkoi OSBE-së një qëndrim për këtë zhvillim me ambasadorin Borchardt, i cili pasditen e të martës është nisur për në Vienë, nga ku ai do të paraqesë të enjten, raportin vjetor të punës së presences në Shqipëri, në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së.

Përgjigja nuk është e drejtëpërdrejtë, por tejet diplomatike duke lënë të kuptohet se OSBE në Vienë, nuk preferon ta agravojë situatën e paprecedentë në këtë përplasje.

Në përgjigjen e zëdhënëses Mersiha Čaušević Podžić thuhet:

“OSBE-ja është njohur me notën verbale të lëshuar nga Zyra e Presidentit. Si partnere afatgjatë e Shqipërisë, OSBE-ja nxit dialogun dhe bashkëpunimin me të gjitha institucionet shqiptare dhe mbetet e përkushtuar të ofrojë ndihmë dhe mbështetje të përqendruar në përparimin e agjendës kombëtare të vendit.”

.

Në letrën dërguar Zyrës së Asamblesë Parlamentare të OSBE-së në Kopenhagen, presidenca thoshte se “Bernd Borchardt, i cili vuri në diskutim Dekretin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta për zgjedhjet vendore në Shqipëri të muajt qershor 2019 dhe që publikisht i tregoi gishtin qytetarëve shqiptarë, nuk është i mirëpritur në Institucionin e Presidentit të Republikës”.

Në fakt nëse shikojmë deklaratën e ambasadorit Bernd Borchardt ditën kur presidenti çdekretoi 30 qershorin, kreu OSBE nuk mbajti asnjë qëndrim pro a kundra dekretit të presidentit.

Bernd Borchardt atë ditë i pyetur nga media se cili ishte qëndrimi i tij lidhur me anulimin e datës së zgjedhjeve nga Presidenti, tha:

“Kryetari i Radhës i OSBE-së bëri një deklaratë shumë të qartë për këtë javën e shkuar. Ai tha se vendosja e datës së zgjedhjeve është çështje e brendshme e Shqipërisë. Tani, është çështje e debatit të brendshëm. Kam besimin se institucionet shqiptare do të gjejnë një vendim të mençur se cila palë ka argumentin më të mirë ligjor”.

Top Channel