Aeroport “Nënë Tereza”, prej dekadash është i vetmi që operon në vendin tonë. Është një monopol i pastër në transportin ajror të pasagjerëve dhe e vetmja derë e Shqipërisë me qiellin.

Historia e këtij koncensioni fillon në kohën e qeverisë Nano, vitet 2003 – 2004. Në këtë periudhë Shqipëria kishte nevojë urgjente për ndërtimin e një terminali të ri në aeroportin e Rinasit.

“Ne kishim një kolibe, jo një aeroport. Më kujtohen të gjitha ato, nuk dua të përshkruaj procesin e qarkullimit të njerëzve. Të një torture që duhet të kaloje për të kapur një apo dy linja” tha Anastas Angjeli, ish – Ministër i Ekonomisë

“Kishim një infrastrukturë terminale që linte për të dëshiruar, ku sa herë që binte shi, mbulonim kompjuterat me plasmas. Rrethimi ishte i papërshtatshëm, njerëzit e zonës kalonin mes për mes pistës për të shkuar në darkë në shtëpi. Gjëra që në atë kohë shteti nuk arrinte ti bënte, në parametrat e duhur të aviacionit, duke krijuar një ambient jo të sigurt për avionët”, tregon Ervin Minarolli, Ish – Drejtor i Aviacionit Civil

Rikonstruksioni i aeroportit nuk ishte vetëm një nevojë për të përmirësuar imazhin e vendit. Mbi të gjitha ishte nevojë për të përmirësuar kushtet e sigurisë. Kjo vinte edhe pas sulmit terrorist të 11 shtatori 2001, ku për herë të parë avionët civil u përdorën për goditjen e 2 kullave në New York.

Në këtë lloj lufte të re, nevojiteshin masa të reja sigurie në çdo aeroport të botës. Dhe Rinasi, ishte në atë kohë në listën e zezë, si aeroporti më i pasigurt në Europë. Në këto kushte shteti Shqiptar, në pamundësi të investonte vetë, i ktheu sytë nga investitorët privatë.

“Pse ne zgjodhëm metodën e koncesionit? Sepse situate ekonomike e vendit ishte shumë e vështirë në atë kohë dhe ishte e vetmja mënyrë që shteti mos të shpenzonte para, ishte kontrata koncesionare”, Anastaj Angjeli ish – Ministër i Ekonomisë

Top Channel