Inside Story/ Frika nga shqiptarët, eksperti: Maqedonasit druhen që humbin shtetin
Nga 40 universitete që funksionojnë në Maqedoninë e Veriut, në tre prej tyre arsimimi ofrohet thuajse vetëm në shqip. Në disa programe të veçanta ofrohet edhe në maqedonisht apo anglisht.
Universiteti i Evropës Juglindore, pikërisht nga ku nisi vala e protestave, është krijuar në vitin 2001 dhe është i njohur për trilingualizmin, në shqip, maqedonisht dhe anglisht. Por ende disa artifica të qëllimshme pengojnë gjuhën shqipe…
“Gjindemi në një situatë ku Kushtetuta e vendit, si akti më i lartë juridik e politik, e garanton gjuhën shqipe në nivel institucional, që nënkupton në të gjitha institucionet shtetërore dhe në të gjitha pushtetet, gjyqësor, legjislativ, por në praktikë zbatimi i gjuhës shqipe kontestohet dhe fatkeqësia më e madhe është se kontestohet nga vetë pushteti. Një kontradiktë e theksuar mes asaj që garanton Kushtetuta dhe çfarë thotë pushteti në zbatimin e saj”, u shpreh Osman Kadriu, anëtar i Gjykatës Kushtetuese.
Pavarësisht disa arritjeve, provimet profesionale janë vetëm në gjuhën maqedonase, duke u bërë një barrierë për shumë të rinj shqiptarë që nuk njohin as gjuhën maqedonase, aq më tepër terminologjinë. Kështu ndodh edhe me provimin profesional të jurisprudencës, të cilit duhet t’i nënshtrohen ata që mbajnë një diplomë drejtësie.
“Provimi i jurisprudencës, një prej provimeve më esenciale të karrierës sonë juridike, është në gjuhën maqedone dhe kjo sjell që shumica t’i anashkalojnë këto procese edhe për shkak të mungesës së njohurisë së teorisë së terminologjisë juridike maqedone, pasi është diçka tjetër të njohësh gjuhën maqedone dhe diçka komplet tjetër të njohësh terminologjinë juridike maqedone”, u shpreh Mevlan Ademi, student i Drejtësisë.
Mevlan Ademi, student i vitit të katërt për Drejtësi pranë Universitetit të Evropës Juglindore, njëkohësisht edhe një ndër udhëheqësit e protestës së studentëve, thotë se shumë të diplomuar dorëzohen përballë pengesave me gjuhën. Si pasojë, ata nuk mund të avancojnë profesionalisht. Ajo që nisi fillimisht si një protestë vetëm e studentëve të Drejtësisë për provimin e jurisprudencës, shumë shpejt u shndërrua në një uragan të rinjsh që nuk kërkojnë lëmoshë, por dinjitet.
Top Channel