Inside Story/ Partitë politike e përdorin gjuhën shqipe si armë për pushtet
Referuar të dhënave të këtij censusi, shqiptarët përbëjnë 24.3% të popullsisë, çka do të thotë se, sipas Kushtetutës, gjuha shqipe duhet të ishte e barabartë me gjuhën maqedonase.
Tabelë: 58,44% Maqedonas, 24,30% Shqiptarë, 3,86% Turq, 2,53% Romë, 1,30% Serbë.
“Mentaliteti politik maqedonas është i kapur nga doktrina serbe, e cila është shumë e fuqishme në Maqedoninë e Veriut, dhe kjo i nxit qarqet politike maqedonase dhe i vendos në një pozicion për t’u konfrontuar me shqiptarët, që për mendimin tim është një gabim dhe nuk do të duhej pala maqedonase ta pranonte këtë. Dhe ky është një konflikt i rremë”, u shpreh profesor i Antropologjisë, Arsim Sinani.
“Nuk ekziston një dëshirë dhe vullnet politik, që herë pas here thellohet sa herë vjen në pushtet VMRO-DPMNE, për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut”, u shpreh prof. as. e së Drejtës Civile, Albana Metaj Stojanova.
Duke iu referuar bazës ligjore, ekspertët sugjerojnë se gjuha shqipe jo vetëm që duhet të përdoret lirshëm, por është edhe kusht për Maqedoninë e Veriut për t’u integruar në Bashkimin Evropian.
“Maqedonasit mendojnë se, nëse gjuha shqipe do të përdorej lirshëm, e humbin shtetin. Dhe kjo nuk është e vërtetë. Në Maqedoni ekziston faktori shqiptar, i cili është real me numra dhe shkon deri në 40%, nëse do të kishte pasur një regjistrim të ri, dhe në anën tjetër hezitohet vazhdimisht të përdoret shqip. Cilido kryeministër apo president që ka ardhur, ka bashkëpunuar me partitë politike, por nuk ka treguar një vullnet që të themi: ‘Ok, a ulemi dhe a e mbyllim këtë çështje?’ Si dje Ali Ahmeti, ashtu edhe sot VLEN-i po mundohet, por nuk po arrin ta zgjidhë”, u shpreh profesor i Antropologjisë, Arsim Sinani.
Amendamenti nr. V i Kushtetutës saktëson gjithashtu se dokumentet personale të qytetarëve që flasin gjuhë tjetër zyrtare nga maqedonishtja lëshohen në gjuhën maqedonase dhe në alfabetin e saj, si dhe në atë gjuhë dhe alfabetin e saj, në pajtim me ligjin.
Po ashtu, çdo qytetar që jeton në njësitë e vetëqeverisjes lokale, ku së paku 20% e qytetarëve flasin gjuhë tjetër zyrtare nga maqedonishtja, në komunikim me njësitë rajonale të ministrive mund të përdorë cilëndo nga gjuhët zyrtare dhe alfabetin e saj.
“Ligji i vitit 2018, nëse do të implementohej ashtu siç është sot, do të ishte i mjaftueshëm nga këndvështrimi im si historian për shqiptarët që jetojnë në Republikën e Maqedonisë. Përjashtuar ushtrinë, sepse, ta kemi të qartë, në ushtri ka vetëm një gjuhë komanduese; nuk mundet një ushtarak të komandojë në dy gjuhë”, u shpreh historian Nuri Bexheti.
Top Channel