“Live nga perla që e sollën këtu pasi dikush e përzuri nga Shqipëria”/ Rama mesazh për protestuesit kundër projektit të Zvërnecit nga Mali i Zi: Na e kaluan njëherë, tani…

04/06/2026 23:19

Kryeministri Edi Rama iu përgjigj sërish protestuesve, që kundërshtojnë investimin në Zvërnec, me një video nga hotel “Porto Montenegro”, që sipas tij, është një histori suksesi për Malin e Zi.

Rama thekson se ‘Porto Montenegro’ u ndërtua nga një investitor kanadez, i cili kishte ardhur fillimisht në Shqipëri për ndërtimin e një porti turistik në Durrës, por që sipas kryeministrit, i ishte mbyllur dera nga qeveria e kohës.

“Nga Porto Montenegro, për të cilin kam folur disa herë këto ditë. Turizmi është motori i zhvillimit të Malit të Zi. Di mirë historinë sesi u ndërtua ky vend, nga dikush, një burrë i vjetër dhe pasionant nga Kanadaja, që trokiti më parë në Shqipëri dhe donte të bënte një port turistik në Durrës. E keqtrajtuan dhe e detyruan të largohet, duke mos iu hapur fare dyert”, tha Rama.

Teksa ndodhej krah menaxherit të hotel ‘Porto Montenegro’, kryeministri Rama vuri theksin te rëndësia e këtij investimi në zhvillimin e vendit fqinj.

“Në Mal të Zi iu hapën dyert, por jo çdo gjë shkoi ashtu siç duhej që në fillim. Jam këtu me dikë që më takoi, i cili është menaxheri i këtij resorti me nam. I këtij resorti që nxori Malin e Zi nga mjegulla e zezë e vendit të krimit”.

Në mesazhin përbri videos nga Mali i Zi, Rama la të kuptohej se qeveria nuk do të tërhiqet nga projekti, teksa shkruante se:

“LIVE NGA PERLA QË E SOLLËN KËTU DIKUSH QË E PËRZUNË NGA SHQIPËRIA🤷🏻‍♂️

O çuna goca na e kaluan njëherë këta vëllezërit e vegjël topin për shalësh, për fajin e honxhobonxhove tanë që e lanë topin ta marrë deti😩

Po tani s’bëhet llaf më, ta harrojnë të gjithë ata që thonë s’duan apo s’na duan, se na kalon prap huq topi i historisë së Shqipërisë së Re Europiane”, shkruan Rama krahas videos.

Kryeministri Rama ndodhet në Malin e Zi për të marrë pjesë në Samitin BE-Ballkani Perëndimor që do të zhvillohet në Tivat.

Top Channel