Inside Story/ Jo vetëm drejtësia, ja lista e profesioneve që nuk e japin provimin e gjuhës shqipe

03/06/2026 21:31

Protesta nxori në pah se, pavarësisht përparimeve, ende gjuha shqipe ndodhet në një pozitë inferiore.

Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për provimin e Jurisprudencës, por edhe për provimet e mjekësisë, provimet e arkitekturës, urbanistikës, për noterë, auditues, prokurorë, gjyqtarë, kontabilistë, etj…

“Janë edhe disa provime të tjera siç është provimi i noterisë, provimi për përmbarues, akademia për gjykatës dhe prokurorë. Për shembull, është te Fakulteti i Ekonomisë, licencat për të bërë auditor, licencat për të bërë kontabilist, licencat për të punuar me letrat me vlerë. Janë të gjithë në gjuhën maqedone. Provimi i mjekësisë, pjesa me shkrim është në gjuhën shqipe, pjesa verbale është në gjuhën maqedone, provimi për të marrë licencë për urbanizëm, për studentët e arkitekturës, në gjuhën maqedone”, u shpreh Mevlan Ademi, student i Drejtësisë.

Por, le t’u hedhim një sy formateve të këtyre provimeve profesionale. Ky është provimi për t’u bërë auditor. Ky është ligji i noterisë, dhe kjo është rregullorja për përmbajtjen e provimit të noterit… gjithçka vetëm në maqedonisht. Kjo do të thotë se nuk kemi të bëjmë vetëm me problem për studentët e jurisprudencës, siç shpesh është portretizuar në media, por kemi të bëjmë me një spektër shumë më të gjerë të shkeljes së ligjit.

“Ajo çka ndodh me studentët apo të rinjtë shqiptarë që po i kalojnë këto sfida është ose i shtyjnë shumë më tutje ose nuk u hyjnë fare. Edhe kjo ndodh, që të përfaqësohen më pak forca punëtore shqiptare, këta profesionistët tanë shqiptarë. Unë edhe gjatë dorëzimit të kërkesës sonë në janar dorëzoja shpesh nëpër arkiva. Edhe këta arkivistët që ishin aty janë punëtorë, kanë kryer, janë domethënë të diplomuar të Fakultetit Juridik. Të gjithë më thonin: “Shpresojmë që të keni punë, që dhe ne ta japim provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe, që të avancohemi, të marrim paga më të larta”’, u shpreh Mevlan Ademi, student i Drejtësisë.

Por, ka edhe shembuj që duhen ndjekur. Ky është një dokument për emërimin e përmbaruesve, i firmosur në vitin 2023. Ai është në dy gjuhë, duke konfirmuar se kur ka dëshirë, gjërat mund të bëhen siç duhet.

Venera Latifi, zëdhënësja shqiptare në qeverinë e Maqedonisë së Veriut, thotë se pavarësisht se ligji është miratuar që në vitin 2018, provimi i jurisprudencës nuk është dhënë asnjëherë deri më tani në gjuhën shqipe. Ajo thotë se çështja ka hyrë në rrugën e zgjidhjes.

“Pyetja nuk është më a do të jepet në gjuhën shqipe, por kur do të jepet?”, u shpreh Venera Latifi, zëdhënëse e qeverisë së Maqedonisë së Veriut.

Përfaqësuesit shqiptarë në qeveri pretendojnë se gjuha shqipe është prioritet, duke dhënë edhe shembuj konkretë suksesi. Por, pyetja që mbetet është, pse nuk janë plotësuar me kohë edhe kërkesat e studentëve protestues kur ato janë të njohura me ligj…?!

“Kjo është një certifikatë e provimit profesional të psikologjisë në vitin 2020 dhe kjo këtu është e vitit 2025. Siç e shikoni, tashmë është në gjuhën shqipe… ndërsa këto janë dokumentet e mia të identifikimit… siç e shikoni, në shqip”, u shpreh Venera Latifi, zëdhënëse e qeverisë së Maqedonisë së Veriut.

Top Channel