“450 euro në ditë harxhon një turist, ne kemi 12 milionë në vit”, debat në ‘Top Story’, eksperti: Nuk janë realë, 4 milionë janë shqiptarë që vizitojnë familjet

22/06/2026 22:38

Puntatën e sotme në ‘Top Story’ nga Grida Duma u diskutua për të ardhurat që turizmi i sjell çdo vit Shqipërisë.

Eksperti i turizmit, Rrahman Kasa debatoi me gazetarin Klodian Tomori, për shifrat reale të turistëve vjetorë në Shqipëri. Sipas Kasës Shqipëria ka 8 milionë turistë realë sepse rreth 4 milionë ose janë tranzitë, ose janë turistë ditorë, pra ekskursione, ose shqiptarë që vijnë pranë familjes.

Ndërkohë Tomori shprehu se edhe shqiptari që vjen për të vizituar familjen e tij nga jashtë shpenzon para.

Pjesë nga debati:

Klodian Tomori: Në vlerë sjell diku 4.7-5 miliard euro turizmi në vit. Problemi është që ne nuk kemi të dimë se çfarë ndodh. Nëse kthehemi 3 apo 4 vite në kohë kemi patur të njëjtën narrativë me portin e Durrësit, 2 miliard euro investim, 10 mijë vende pune etj. Duhet të shohim është projekt i mirëfilltë që do ndërtojë një pol turistik në atë zonë apo është projekt real estate. Nëse është real estate dhe sigurisht me ato shifra dyshimi të çon që është i tillë. Sepse nuk ka njeri që investon 4 miliardë euro hotele, sepse kthimi i investimit do kohë.

Rrahman Kasa: E merr e merr sepse është hotel elitar dhe është i shtrenjtë, patjetër që atë e merr

Klodian Tomori: E ke shumë gabim, ti e di më mirë se mua sepse je vetë në atë sektor

Rrahman Kasa: Ne kemi qenë kundër këtyre lloj investimesh që janë dhe hotel dhe vilë.

Klodian Tomori: Pse bëhet hotel dhe vila, sepse hoteli nuk është rentabël dhe të vilat nxjerrin paratë prandaj. Ne kemi këtë ekperiencë: te marina në Durrës, te projekti i Alabarit sipërfaqja hoteliere është 2%. 400-450 euro për person në ditë është mesatarja që shpenzon një turist, ne kemi 12milionë turistë, i bie diku 4 apo miliardë euro.

Rrahman Kasa: Nuk është ajo kosto reale sepse ne nga rreth 13 milionë turistë, rreth 4 milionë ose janë tranzit, ose janë turistë ditorë, pra ekskursione, ose shqiptarë që vijnë pranë familjes. Këto e ulin shumë atë koston mesatare të turistit që thua ti.

Klodian Tomori: Edhe shqiptari që vjen në shtëpi shpenzon apo jo.

Shpenzon, por jo ashtu siç shpenzon turisti. Mesatarja llogaritet rreth 8 milionë turistë jo me 12 milionë.

Klodian Tomori: Tani ose do të thuash kemi 12 milionë ose do të thuash kemi 8 milionë

Rrahman Kasa: Turistë real kemi 8-8.5 milionë

 

Top Channel