Vrau 38-vjeçaren britanike dhe ia fshehu trupin në valixhe/ Zbardhet krimi i rëndë në Greqi, boksieri afgan u dërgonte mesazhe familjarëve të saj dhe…

04/08/2026 22:28

Një 26-vjeçar afgan, kampion boksi në Greqi, akuzohet se vrau një 38-vjeçare britanike në Athinë dhe më pas u përpoq të mashtronte autoritetet, duke u shtirur si një xhihadist që pretendonte se e kishte vrarë për shkak të besimit të saj të krishterë.

Sipas mediave greke dhe dokumenteve hetimore, Sharif Ahmadzai dyshohet se vrau Elisabeth-Jane Ross, shtetase britanike nga Skocia dhe e fshehu trupin e saj në një valixhe dhe e fshehu atë brenda një ndërtese të braktisur në zonën e Kypselit.

Hetuesit dyshojnë se, pas krimit, 26-vjeçari përdori fillimisht telefonin e viktimës për t’u dërguar mesazhe familjarëve dhe miqve të saj, përpara se ta fikte pajisjen.

Më pas, ai bleu një telefon tjetër dhe u dërgoi mesazhe disa personave, mes tyre edhe bashkëshortes së tij, duke u paraqitur si një xhihadist anonim. Në mesazhe pretendohej se gruaja ishte vrarë sepse po përpiqej të përhapte fenë e krishterë.

Policia greke dyshon se kjo ishte një përpjekje për të devijuar hetimet dhe për të fshehur autorin e vërtetë të krimit.

Sipas dosjes hetimore, Ahmadzai akuzohet edhe për grabitjen e kartave bankare të viktimës dhe tërheqjen e mijëra eurove nga llogaritë e saj pas vrasjes.

Një rol të rëndësishëm në zbardhjen e ngjarjes ka pasur bashkëshortja e tij, Alaina Hall, shtetase amerikane, e cila drejtonte së bashku me të një organizatë jofitimprurëse në Athinë për ndihmën ndaj refugjatëve.

Gruaja u bë dyshuese kur u zgjua në orët e para të mëngjesit të 16 korrikut dhe zbuloi se bashkëshorti nuk ndodhej në banesë. Përmes aplikacionit të lokalizimit “Find My Friends”, ajo arriti të gjurmonte vendndodhjen e tij pranë apartamentit ku banonte viktima.

Hall u tha hetuesve se bashkëshorti i kishte dhënë 2.550 euro dhe një telefon të ri iPhone 17 Pro, për të cilët ajo dyshonte se ishin blerë me paratë e përfituara nga llogaritë bankare të Elisabeth-Jane Ross.

Pamjet e kamerave të sigurisë, sipas hetuesve, tregojnë një person që i ngjan Ahmadzait duke shtyrë qetësisht një valixhe të madhe në rrugët e Kypselit, pranë vendit ku më vonë u gjet trupi i pajetë i 38-vjeçares.

Hetuesit besojnë se trupi i viktimës ndodhej brenda valixhes. Kamera sigurie e kanë filmuar gjithashtu të dyshuarin duke tërhequr para nga bankomatet me kartat e viktimës.

Sharif Ahmadzai pritet të dalë para gjykatës në Athinë, ku përballet me akuzat për vrasje, grabitje dhe armëmbajtje pa leje.

Sipas mediave britanike, Ahmadzai mbërriti në Greqi në vitin 2016, pasi kishte kaluar përmes Pakistanit, Iranit dhe Turqisë. Në kampin e emigrantëve në Moria ai u njoh me Alaina Hall, e cila punonte si vullnetare.

Ai u konvertua në fenë e krishterë në vitin 2017 dhe çifti u martua në prill të vitit 2023. Së bashku themeluan organizatën “Love Every Nation”, e cila ndihmonte refugjatët në Athinë.

Ahmadzai ishte gjithashtu boksier profesionist dhe në muajin mars kishte fituar titullin kampion të Greqisë në kategorinë super të lehtë.

Përmes aktivitetit sportiv organizonte edhe kurse boksi për të mbledhur fonde për organizatën.

Elisabeth-Jane Ross kishte mbërritur në Athinë më 26 qershor për të marrë pjesë në aktivitetet vullnetare të organizatave bamirëse, siç bënte prej vitesh. Trupi i saj u gjet më 18 korrik, ndërsa vdekja e saj ka tronditur komunitetin e vullnetarëve dhe besimtarëve të kishës “City on a Hill” në Edinburg, ku ajo ishte anëtare prej rreth 20 vitesh.

Pastori Peter Anderson e përshkroi Ross si një grua që ia kishte kushtuar jetën misionit dhe ndihmës ndaj të tjerëve, ndërsa humbjen e saj e cilësoi një tragjedi të madhe për komunitetin.

Top Channel