Sipas amendamentit V të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, i cili zëvendësoi nenin nr. 7 që normonte përdorimin e gjuhëve, u vendos se: gjuhë zyrtare në gjithë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare është gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik.

Gjuha tjetër që e flasin së paku 20% e qytetarëve, gjithashtu është gjuhë zyrtare me alfabetin e saj.

“Juridikisht ekziston një kornizë e plotë ligjore për zbatimin e gjuhës shqipe në të gjitha drejtimet, institucionet, jetën publike apo sociale, por zbatimi i saj ka çaluar si pasojë e mungesës së vullnetit nga ana e politikës maqedonase”, u shpreh Albana Metaj Stojonavo, Prof. As. e Drejta Civile.

“Partitë politike e kanë përdorur gjuhën shqipe si një lloj arme, për të ruajtur apo për të humbur pushtetin. E vërteta është që klasa politike maqedonase nuk është e gatshme që të bëjë kompromise dhe gjuha shqipe, krahas gjuhës maqedonase, të jetë e barabartë. Do të thotë, derisa ne flasim, gjuha shqipe nuk është e barabartë, i ka pengesat e veta institucionale brenda labirintit të shtetit dhe administratës maqedonase”, u shpreh Arsim Sinani, profesor i Antropologjisë.

Versioni i parë i miratuar në vitin 2008 e konsolidonte shqipen në përdorim te pushteti lokal. Në vitin 2018 miratohet ligji i ri që hyri në fuqi në vitin 2019. Ai e ngre nivelin e gjuhës shqipe në gjuhë zyrtare dhe parasheh përdorim në të gjitha organet.

“Juridikisht ka një status të fuqishëm dhe të mbrojtur në ligj, por është e vështirë të flasësh juridikisht kur sfidat në zbatimin praktik të gjuhës nuk janë juridike, por janë sfida politike dhe të një mostolerance ndëretnike”, u shpreh Albana Metaj Stojonavo, Prof. As. e Drejta Civile.

Në praktikë, përdorimi i gjuhës shqipe mbetet i kushtëzuar nga prania fizike e funksionarëve shqiptarë nëpër dikastere.

“Ku janë ministrat shqiptarë, ku janë funksionarët shqiptarë, përdoret. Në momentin kur s’kemi funksionarë shqiptarë në ato institucione, nuk përdoret apo pasivizohet shqipja… e lanë shqipen brenda sirtarëve të institucioneve të Maqedonisë së Veriut”, u shpreh Albana Metaj Stojonavo, Prof. As. e Drejta Civile.

Top Channel