Çmimi i perimeve në treg është rritur ndjeshëm këtë vit. Në Tiranë, rritja është shumë më e madhe. Përfaqësuesit e Ministrisë së Bujqësisë thonë se shkak është eksporti i prodhimeve shqiptare, ndërsa shfajësojnë situatën monopol në tregun e kryeqytetit. Menjëherë pas kësaj interviste me zotin Ilir Halilaj, ai lajmëroi dorëheqjen nga detyra.

Këtë vit, çmimet e zarzavateve janë rritur ndjeshëm. Një gjë e tillë u raportua nga INSTAT. Sipas zv/ministrit të Bujqësisë, Ilir Halilaj zarzavatet kushtojnë shtrenjtë sepse janë fermerët ata që drejtojnë tregun.

“Rritja e çmimit të zarzavateve për periudhën e janarit është një rritje e mundësisë që ka fermeri jonë për të komanduar çmimin në treg”, deklaroi Halilaj.

Halilaj na thotë që për vitin 2018 eksporti i prodhimeve bujqësore është rritur ndejshëm: “Viti 2018 ka pasur rritje të ndjeshme të eksportit, fermerët tanë kanë eksportuar prodhimet e tyre një gjë e tillë është rritur me 14%. Sa qepë kemi ekportuar? Nuk i paska të dhënat e qepës këtu, por kemi ekportuar më shumë se në 2017”.

Nëse në Tiranë kilogrami i sallatës jeshile kushton 150 lekë, në Elbasan është 50 lekë më pak. Tregtarët e shumicës së Tiranës, ndryshe nga ata të Elbasanit, paguajnë qiranë më të shtrenjtë në vend, njëlloj sikur të tregtonin në zemër të kryeqytetit.

Për këtë arsye qytetarët e Tiranës prodhimet bujqësore i blejnë më shtrenjtë.

“Nuk mendoj se tregu agroushqimor ndikon në çmimin final të produktit sepse ka edhe alternativa të tjera se ku tregtarët mund të ushtrojnë aktivitetin e tyre”, deklaroi Halilaj.

Pas përfundimit të kësaj interviste, zëvendësministri i Bujqësisë, Ilir Halilaj dha dorëheqjen me vullnetin e tij të lirë, dorëheqje që u pranua menjëherë nga qeveria.

Top Channel