Objektivi Champions, Interi mbetet më i favorizuar

23/10/2017 13:51

Interi i këtij sezoni në futbollin italian duket se ka dalë nga anonimati i viteve të fundit, e në lojën e zikaltërve po ndihet dora e trajnerit Luciano Spalleti.

Rilindja taktike dhe psikologjike për meritë të teknikut nga Toskana u duk edhe në barazimin ndaj kryesuesve të Napolit. Para shifrave 0-0 në stadiumin “San Paolo”, “banda” e trajnerit Sarri kishte fituar dhe shënuar në kampionat, por hasi probleme në prapavijën e milanezëve, që këtë sezon mund të arrijnë objektivin Champions League.

Interi është aktualisht i pathyeshëm, me 7 fitore dhe dy barazime, e mban vendin e dytë me vetëm 2 pikë distancë nga Napoli, por ajo që u pëlqen më shumë tifozëve është distanca 10 pikë me Milanin. Vitin e kaluar, pas 9 javësh të zhvilluara, zikaltrit ishin në vendin e 14 dhe ndryshimi tashmë është i dukshëm.

Një garanci për objektivin Champions është edhe prapavija. Samir Handanoviç është portieri që ka pësuar më pak në Serie A, së bashku me kolegët te Roma dhe Napoli. Vetëm në një rast, Inter ka pësuar më shumë se një gol në ndeshje, në derbin që fitoi 3-2 ndaj kuqezinjve.

Edhe kalendari duket se luan në favor të formacionit të Spalletit, pasi tashmë Interi është përballur me ekipe të forta si Roma, Napoli, Fiorentina e Milan. Sfida me kampionët në fuqi të Juventusit është programuar më 9 dhjetor. Por deri atëherë, të paktën në letër ekziston mundësia që zikaltërit të marrin të tjera pikë, duke nisur që ndaj Sampdorias në “San Siro”, e më pas Verona, Torino, Cagliari dhe Chievo.

Top Channel