Të shpëtuar në Shqipëri

08/03/2017 00:00

Në vitin 1991, vetëm pak ditë pas rënies së sistemit komunist, fotografi izraelit Doran Bacher fiksoi në aparat portrete dhe jetesën e komunitetin hebre në Shqipëri, të cilat për publikun shqiptar prezantohen në një ekspozitë.

“Këto janë foto të bëra në vitin 1991, vetëm pak ditë pas demonstratës masive dhe rënies së komunizmit. Edhe në Izrael ka një komunitet shqiptar, për të cilin janë prezantuar më parë këto foto. Marrëdheniet mes dy komuniteteve mendoj se janë ura lidhëse mes dy vendeve”, tha ambasadori izraelit, Boaz Rodkin.

Ishte viti 1939 kur fotografi Refik Veseli takoi një familje hebreje, të cilëve u shpëtoi edhe jetën.

“Im atë punonte atëherë fotograf në një studio fotografike dhe personi më i madh në moshë prej tyre ishte një fotograf që kishte punuar në Novi Sad dhe ishin hebrenj. Aty ata kërkuan punë në dyqanin ku punonte babai im. Meqënëse gjermanët e shtuan terrorin, im atë u detyrua që t’i vishte si krutanë dhe t’i çonte në Krujë. Atje u strehuan në shtëpinë e gjyshit tim dhe ndenjën deri në çlirimin e Shqipërisë”, thotë Fatmir Veseli, djali i Refik Veselit.

Edhe pasi hebrenjtë u kthyen në vendlindje, ata nuk i humbën kontaktet gjatë gjithë këtyre viteve.

“Jemi takuar shpesh. Disa herë kanë ardhur ata, disa herë kemi shkuar ne atje. Rasti i fundit ishte para 2 vjetësh në Berlin ku për nder të shpëtimit të hebrenjve një shkolle në Berlin iu vu emri Refik Veseli, emri i babait tim”, thotë Fatmiri.

“Hebrenjtë dhe Shqipëria” do të ekspozohet për publikun deri në datën 11 mars në Akademinë e Shkencave.

Top Channel