Në Gjirokastër ka nisur restaurimi i çatisë së Muzeut Etnografik, ish-shtëpi e diktatorit Enver Hoxha.
Lagështia dhe agjentët e tjerë kanë çuar drej kalbjes dhe degradimit shumë objekte druri, kostume popullore dhe orendi të ekspozuara në muze. Faza e restaurimit do të jetë e para.
“Ky është hapi i parë që ne bëjmë në Muzeun Etnografik për të siguruar jetën e turistëve që e vizitojnë. Pastaj do të vazhdojmë dalëngadalë me rikonceptimin nga brenda të këtij muzeu”, tha kryebashkiakja e Gjirokastrës, Zamira Rami.
Sipas specialistëve, me një fond lokal prej 3,5 milionë lekësh pritet që objekti të dalë nga emergjenca e depërtimit të lagështisë. Punimet pritet të përfundojnë brenda 45 ditësh.
Që prej vitit 1990, Muzeut Etnografik nuk i është shtuar asnjë objekt i ri, ndërsa prej vitesh po zhvillohet një debat lokal mbi nevojën për rikonceptim të tij.
Banesa nuk është e pajisur me fakte apo objekte që lidhen me jetën e diktatorit. Nga ana tjetër prezantimi i godinës si Muze Etnografik është gjithashtu i pambështetur nga ana shkencore dhe konceptuale.
Top Channel