Porto ka marrë një fitore të madhe në shtëpi, duke mposhtur me rezultatin e thellë 4-1 Napolin në “Estádio do Dragão”, në një mbrëmje ku skuadra portugeze dominoi dhe shfrytëzoi në maksimum gabimet e kundërshtarit.

Skuadra e drejtuar nga Francesco Farioli siguroi kështu fitoren e parë në fazën e ligës së Champions League, ndërsa Napoli i Massimiliano Allegrit pësoi një tjetër goditje në aventurën europiane.

Ndeshja e transmetuar drejtpërsëdrejti në Top Channel nisu me ritëm të lartë dhe vendasit kaluan në avantazh që në minutën e 11-të. Pas një krosimi në zonë, Jan Bednarek u shkëput mbi mbrojtësit kundërshtarë dhe me një goditje të saktë me kokë mposhti Alex Meret.

Napoli u përpoq të reagonte dhe në minutën e 38-të Kevin De Bruyne dërgoi topin në rrjetë, por goli u anulua për pozicion jashtë loje.

Megjithatë, këmbëngulja e miqve u shpërblye në minutën e 43-të. Rasmus Højlund provoi të mposhtte Diogo Costën, portieri portugez e ndali goditjen e parë, por topi përfundoi te Scott McTominay, i cili nuk gaboi dhe vendosi baraspeshën 1-1.

Në pjesën e dytë, Porto u rikthye më kërkuese dhe arriti të marrë sërish kontrollin e rezultatit. Në minutën e 71-të, Gabri Veiga përfitoi nga një top i marrë në zonë dhe, i vetëm përballë Meret, e dërgoi topin në rrjetë për 2-1.

Vetëm nëntë minuta më vonë, vendasit goditën sërish. Pas një goditjeje nga këndi, Jakub Kiwior u ngrit mbi mbrojtjen napolitane dhe me kokë shënoi golin e tretë, duke afruar Porton me një fitore të rëndësishme.

Drama u kompletua në minutat e fundit. Në minutën e 88-të, Rafa Martin pengoi Samu në zonë dhe gjyqtari akordoi penallti, duke e ndëshkuar gjithashtu me karton të kuq. Nga pika e bardhë u paraqit vetë Samu, i cili në minutën e 90-të vulosi rezultatin përfundimtar 4-1.

Një triumf bindës për Porton, që pas rezultateve zhgënjyese në ndeshjet e para gjen më në fund fitoren në Champions League.

Në krahun tjetër, Napoli largohet nga Portugalia me një humbje të rëndë, ndërsa skuadra e Allegrit duhet të reflektojë pas një mbrëmjeje ku mbrojtja u ndëshkua katër herë.

REZULTATI:

Porto 4-1 Napoli

Bednarek 11′, Veiga 71′, Kiwior 80′, Samu (P) 90′ / McTominay 43′

NGJARJET KRYESORE:

90+3′ Mbyllet sfida me fitoren 4-1 të Portos!

90′ Goool Porto 4-1/ Samu godet nga pika e bardhë dhe çon topin në rrjetë. (Video)

88′ Penallti për Porton! Rafa Martin pengon Samu në zonë dhe ndëshkohet me karton të kuq.

80′ Goool Porto 3-1/ Pas një krosimi nga këndorja, Kiwior godet me kokë dhe shënon golin e tretë. (Video)

76′ Samu i afrohet zonës dhe godet, por ndalet nga Meret.

71′ Goool Porto 2-1/ Gabri Veiga merr një top në zonë dhe i vetëm përballë Meret nuk gabon. (Video)

65′ Alberto Costa provon me një gjuajtje fluturimthi, me topin që përplaset në traversë.

46′ Nis pjesa e dytë!

45+3′ Mbyllet pjesa e parë!

43′ Goool Napoli 1-1/ Hojlund godet dhe ndalet nga Diogo Costa, me topin që kthehet te McTominay dhe e shtyn në rrjetë. (Video)

38′ Politano pason për De Bruyne, i cili gjen rrjetën, por pozicioni ishte i parregullt.

37′ Veiga provon me një gjuajtje nga goditja e dënimit, me topin që shkon shumë pranë kuadratit.

30′ Hojlund lëviz drejt zonës dhe godet me të djathtën, por topi devijohet dhe shkon në këndore.

11′ Goool Porto 1-0/ Pas një krosimi në zonë, Bednarek kërcen mbi të tjerët dhe me kokë ndëshkon Meret. (Video)

7′ Sainz godet bukur brenda zonës, me topin që shkon shumë pranë kuadratit.

4′ Pepe tund rrjetën pasi kontrolloi një top të gjatë, por pozicioni i tij ishte i parregullt.

1’ Starton sfida në “Dragao”!

FORMACIONET ZYRTARE:

Top Channel