‘Na trajtuan si kafshë’/ Tifozët e Romës përplasen me policinë pas ndeshjes me Manchester United
Portieri shqiptar fiton çmimin e rëndësishëm në ceremoninë e 45-të të ΠΣΑΠΠ, pas sezonit të shkëlqyer me AEK-un. Por vëmendja zhvendoset te mbrëmja e sotme dhe sfida me Real Madridin, ku Mbappé, Vinícius dhe yjet e tjerë presin skuadrën greke. Mbetet për t’u parë nëse Strakosha do të jetë në gjendje të zbresë në fushë.
Thomas Strakosha vazhdon të marrë vlerësime për paraqitjet e tij në futbollin grek. Portieri i Kombëtares shqiptare është shpallur portieri më i mirë i sezonit 2025-2026 në Superligën greke, në ceremoninë e 45-të të çmimeve të organizuara nga ΠΣΑΠΠ, Sindikata e Futbollistëve Profesionistë të Greqisë. Një tjetër konfirmim për sezonin e shkëlqyer të gardianit kuqezi, i cili ishte një prej protagonistëve kryesorë në rrugëtimin e AEK-ut drejt titullit kampion. Strakosha u përzgjodh përmes votimit të futbollistëve profesionistë, duke lënë pas kandidatët e tjerë për këtë çmim, Konstantinos Tzolakis të Olympiacosit dhe Antonis Tsiftsis të PAOK-ut.
Shifrat e tij flasin qartë për peshën që pati në skuadër. Në kampionat, shqiptari regjistroi 26 paraqitje, pësoi vetëm 17 gola dhe mbajti portën të paprekur në 15 takime, duke luajtur 2340 minuta. Në të gjitha kompeticionet, sipas statistikave të publikuara nga mediat greke, ai regjistroi 18 ndeshje pa pësuar gol në 30 paraqitje.
Strakosha e priti me kënaqësi këtë vlerësim, duke falënderuar trajnerin Marko Nikolić dhe shokët e skuadrës. Portieri theksoi se ky çmim është rezultat i punës kolektive dhe shprehu dëshirën që të mos jetë i fundit në karrierën e tij. AEK-u pati një mbrëmje të suksesshme edhe në kategoritë e tjera. Marko Nikolić u shpall trajneri më i mirë i sezonit, ndërsa Orbelín Pineda fitoi çmimin e futbollistit më të mirë të huaj. Gjithashtu, gjashtë lojtarë të skuadrës kampione u përfshinë në formacionin ideal të sezonit.
Nga ceremonia e çmimeve te sfida me gjigantët e Madridit
Por vëmendja tashmë zhvendoset te Champions League. Pikërisht këtë të mërkurë, AEK-u përballet me Real Madridin në Athinë, në një nga sfidat më të rëndësishme të sezonit. Një mbrëmje që mund të jetë veçanërisht speciale edhe për Strakoshën, nëse do të jetë në gjendje të zbresë në fushë. Përballë tij mund të jenë disa prej emrave më të mëdhenj të futbollit botëror. Kylian Mbappé, Vinícius Junior, Jude Bellingham dhe yjet e tjerë madrilenë përbëjnë një provë gjigante për skuadrën greke. Pas një periudhe të gjatë jashtë fushave, mbetet për t’u parë nëse portieri shqiptar do të jetë gati për këtë përballje të madhe.
Real Madrid mbërrin në Athinë me tri fitore në tri ndeshjet e para të Champions League, ndërsa AEK-u kërkon të bëjë surprizën përballë gjigantëve spanjollë. Për Strakoshën, çmimi i fituar në Greqi është një tjetër dëshmi e sezonit të tij të madh. Por sonte, vëmendja do të jetë te një tjetër sfidë: a do të jetë gardiani kuqezi mes shtyllave përballë sulmit yjor të Real Madridit?
Top Channel