Video/ Pamje prekëse nga ngjarja e rëndë në Tiranë, momenti kur i biri i viktimës kërkon të atin Dita e tetë e protestave në Tiranë nisi me ftesën e përsëritur të kryeministrit Edi Rama për dialog me studentët dhe protestuesit, por vijoi me refuzimin e tyre dhe u përshkallëzua më pas në përplasje të dhunshme në disa zona të kryeqytetit.
Nga tubimi pa incidente para Kryeministrisë, protesta u zhvendos te Ministria e Arsimit dhe më pas sërish në bulevard, ndërsa gjatë mbrëmjes tensionet vijuan në sheshin “Skënderbej”, pranë Katedrales Ortodokse dhe përsëri para godinës së qeverisë.
Fillimisht, një grup pedagogësh u mblodhën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para Kryeministrisë, ku më pas iu bashkuan edhe studentë. Në të njëjtën kohë, drejtoresha e Agjencisë për Media dhe Informim, Manjola Hasa, doli pranë karrigeve të vendosura simbolikisht për dialog, duke përsëritur ftesën e Ramës se studentët, të rinjtë dhe qytetarët që dëshironin të diskutonin me kreun e qeverisë ishin të mirëpritur.
Ftesa u refuzua nga protestuesit, të cilët përmbysën karriget e vendosura para Kryeministrisë. Më pas nisi marshimi drejt Ministrisë së Arsimit, ndërsa pedagogët u larguan dhe nuk iu bashkuan pjesës tjetër të protestuesve.
Pikërisht te Ministria e Arsimit nisën edhe përplasjet e para. Protestues të maskuar hodhën gurë në drejtim të efektivëve, ndërsa policia ndërhyri për shpërndarjen e tyre. Pas tensioneve, protestuesit u rikthyen në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku një grup shkatërroi strukturën e një stacioni urbani dhe e përdori atë si një “barrikadë” përballë forcave të policisë. Në zonë nisën të mblidheshin edhe gurë.
Pas një periudhe qetësie, situata u tensionua sërish. Protestuesit hodhën gurë drejt efektivëve dhe molotovë në drejtim të Kryeministrisë, ndërsa policia u përgjigj me gaz lotsjellës, ujë me presion dhe plumba gome. Pas ndërhyrjes së forcave të rendit, një pjesë e protestuesve u shpërnda, ndërsa furgonë dhe makina policie u vunë në ndjekje të tyre.
Rreth orës 19:30, protestuesit u mblodhën përsëri në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Përplasjet u zhvendosën më pas drejt sheshit “Skënderbej” dhe zonës pranë Katedrales Ortodokse “Ngjallja e Krishtit”, ku u hodhën molotovë dhe breshëri fishekzjarrësh në drejtim të policisë.
Pas orës 20:00, tensionet u rikthyen edhe para Kryeministrisë. Protestuesit u përplasën dhe u shtynë me efektivët, ndërsa policia përdori spraj me piper dhe gaz lotsjellës për t’i larguar nga zona. Në terren nisën edhe shoqërimet e protestuesve.
Ashtu si një ditë më parë, policia ndoqi strategjinë e ndërhyrjes së shpejtë me ujë dhe gaz lotsjellës, duke ndjekur protestuesit e maskuar pas shpërndarjes së grupeve.
Rreth orës 21;00 protestuesit janë rikthyer në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ku ka ndodhur një tjetër sulm me molotov ndaj policisë. Forcat e kësaj të fundi ndërhynë menjëherë duke mos kursyer hedhjen e ujit e gazit lotsjellës me dy autobotë për të neutralizuar protestuesit duke mos i lejuar t’i afrohen kryeministrisë.
Përditësimi i ngjarjeve, orë pas ore:
U arrestuan në protestë, Gjykata liron 13 tubuesit e shoqëruar
Protesta e 7-të në Tiranë, arrestohen 33 persona, procedohen penalisht 41 të tjerë
Top Channel