Vritet me thikë zv.presidentja e Bank of America në Times Square, autorja sulmon me thikë edhe policët, ekzekutohet pas ndërhyrjes

01/09/2026 23:54

Një zëvendëspresidente e Bank of America është vrarë me thikë në Times Square, në New York, në një sulm që autoritetet e kanë cilësuar si të rastësishëm dhe të paprovokuar.

Ngjarja ndodhi të hënën rreth orës 16:24, sipas orës lokale, në zonën pranë West 42nd Street dhe Seventh Avenue, në zemër të Manhattanit.

Viktima është identifikuar si Erin Piacenti, 32 vjeçe, konfirmoi Policia e New York-ut (NYPD). Bank of America konfirmoi humbjen e një prej punonjëseve të saj.
Ajo ishte zëvendëspresidente në njësinë Business Selection and Conflicts të Bank of America, sipas profilit të saj në LinkedIn.

Komisionerja e NYPD-së, Jessica Tisch, tha se sulmi dukej se ishte i rastësishëm dhe i paprovokuar. Sipas policisë, kur efektivët mbërritën në vendngjarje, gjetën Pamela Cisneros, 49 vjeçe, e cila mbante në duar dy thika të mëdha dhe u drejtua në drejtim të efektivëve.

Policët qëlluan ndaj Cisneros, e cila më vonë u shpall e vdekur. Komisionerja Tisch tha se 49-vjeçarja kishte një histori të dokumentuar të problemeve të shëndetit mendor.

Në sulm mbeti i plagosur edhe një 68-vjeçar, identiteti i të cilit nuk është bërë publik. NYPD bëri të ditur se ai kishte marrë plagë nga thika dhe ndodhej në gjendje të qëndrueshme.

Pas sulmit, rrugët e Midtown Manhattan u bllokuan përkohësisht, ndërsa automjetet e emergjencës mbërritën në zonë. Zyra e Bank of America në Manhattan ndodhet shumë pranë Times Square, në One Bryant Park.

“Jemi të tronditur dhe thellësisht të pikëlluar nga humbja tragjike e koleges sonë. Ajo ishte një anëtare e çmuar e ekipit dhe do të na mungojë shumë. Zemrat tona janë me familjen e saj dhe të gjithë njerëzit e saj të dashur”, tha Bank of America në një deklaratë të dërguar me email për Reuters të martën.

Hetimet për rrethanat e plota të sulmit vijojnë.

Top Channel