Gara për Senatin e Miçiganit përshkallëzohet me tensione, JD Vance sulmon Abdul El-Sayed: Je i lig, mbaj larg gojës emrin e gruas sime

01/09/2026 23:00

Zëvendëspresidenti amerikan mbështet republikanin Mike Rogers dhe e akuzon kandidatin demokrat Abdul El-Sayed për përçarje, ndërsa ky i fundit kundërpërgjigjet duke kritikuar politikat e administratës Trump.

Gara për një vend në Senatin amerikan nga shteti i Miçiganit është përshkallëzuar pas përfshirjes së zëvendëspresidentit JD Vance në fushatë.

Gjatë një aktiviteti në mbështetje të kandidatit republikan Mike Rogers, Vance sulmoi ashpër kandidatin demokrat Abdul El-Sayed, duke e cilësuar atë si një figurë “të ligë” dhe përçarëse.

Vance e akuzoi El-Sayed se synon të “shkatërrojë” vendin dhe se nuk është i interesuar për bashkimin e komuniteteve amerikane.

Përplasja mes dy kandidatëve dhe aleatëve të tyre u zgjerua edhe te familja e zëvendëspresidentit.

Vance i kërkoi El-Sayed që të “mbante larg gojës emrin e gruas sime”, pasi kandidati demokrat kishte bërë komente që, sipas Vance, sugjeronin se gjyshi i ndjerë i tij nuk do ta kishte pranuar Zonjën e Dytë të SHBA-së, Usha Vance, e cila është hindu.

El-Sayed më vonë sqaroi komentet e tij, duke thënë se synimi i tij ishte të kritikonte një filozofi politike që, sipas tij, sugjeron se disa amerikanë janë “më amerikanë se të tjerët”.

Gjatë fjalimit në Michigan, Vance e lidhi vazhdimisht El-Sayed me ndikuesin e majtë Hasan Piker.

Vance përmendi deklarata të mëparshme të Pikerit lidhur me sulmet terroriste të 11 shtatorit dhe akuzoi El-Sayed se kishte bërë fushatë së bashku me të.

Megjithatë, El-Sayed nuk i ka bërë vetë deklaratat e përmendura nga Vance dhe më herët është distancuar nga Piker.

Pavarësisht kësaj, zëvendëspresidenti e përdori lidhjen mes dy figurave si një nga argumentet kryesore të sulmit të tij politik ndaj kandidatit demokrat.

Në një intervistë për CNN, Abdul El-Sayed iu kundërpërgjigj sulmeve të Vance, duke e kthyer akuzën për “të keqen” ndaj administratës Trump.

BBC shkruan se ai kritikoi politikat ekonomike dhe sociale të administratës, duke argumentuar se ato kanë dëmtuar familjet amerikane ndërsa kanë favorizuar miliarderët.

“E keqja është heqja e kujdesit shëndetësor nga njerëzit që punojnë në këmbim të lehtësirave tatimore për miliarderët.”

El-Sayed kritikoi gjithashtu tarifat dhe politikat tregtare, rritjen e kostove për ushqimet dhe karburantin, si dhe ndërhyrjen amerikane në konfliktet jashtë vendit.

Sipas tij, “e keqja është përçarja e njerëzve për përfitimin tënd” dhe “shitja e moralit për pak pushtet”.

Top Channel