Situatë kritike me zjarrin në Ulëz të Matit/ Flakët i afrohen banesave, pritet evakuimi i disa familjeve
Është zbardhur dëshmia e kamarierit 18-vjeçar Genti Nela, i cili u dhunua barbarisht disa ditë më parë nga pronarët e lokalit ku ishte i punësuar në Mal të Robit, në Golem.
Nela ka dëshmuar se më datë 10 korrik ka filluar punë si banakier në hotel-restorantin “FLAR”, i ndodhur në zonën e Malit të Robit.
Për fillimin e punës ka biseduar me shtetasit Florian dhe Arbër Habilaj, pronar të lokalit. Pagën e parë e ka marrë më datë 10 gusht dhe më pas ka vijuar normalisht punën.
Më datë 27 gusht, Nela tregon se u ka kërkuar pagën shtetasve Florian dhe Arbër Habilaj, pronarë të lokalit, pasi kishte vendosur të vazhdonte punën diku tjetër.
Sipas dëshmisë së tij të dy kanë qenë të pranishëm në momentin kur ua ka bërë me dije këtë vendim, por nuk e kanë pranuar largimin e tij nga puna.
Së bashku me ta kanë qenë edhe shtetasit Enold Dragoti dhe Mariglen Mosha, ku ky i fundit është bashkëshorti i motrës së Florianit dhe të Arbërit, ndërsa Enoldi, shok i tyre.
Kamarieri dëshmon se pasi ata nuk e kanë pranuar largimin e tij nga puna, është sharë nga të dy vëllezërit dhe se personi i parë që e ka goditur me grushte ka qenë Floriani. Më pas, Arbëri e ka goditur me një tavëll qelqi në kokë, në fytyrë dhe në trup.
Gjithashtu Nela tregon se është goditur edhe nga Enold Dragoti, ndërsa Marigleni e ka mbajtur gjatë gjithë kohës, duke e penguar të largohej, ndërkohë që të tjerët e godisnin vazhdimisht.
Ai shpjegoi se është goditur shumë herë pa ndërprerje dhe se nuk ka pasur mundësi të largohej, pasi ndodhej pranë banakut dhe ata i kishin bllokuar rrugën që të dilte.
18-vjeçari ka theksuar se është ndjerë në rrezik për jetën, pasi ishte përballë katër personave që po përdornin sende të forta dhe se, si pasojë e goditjeve, kishte gjakderdhje të shumta.
Sipas tij, gjatë kohës që e godisnin, ata shpreheshin me fjalë se do ta vrisnin dhe përdornin shprehje fyese ndaj tij. Në këto rrethana, për t’u mbrojtur, Nela dëshmon se ka marrë një gotë qelqi dhe ka goditur Florianin në kokë.
Gjithashtu i ka gjuajtur edhe me grushte, pasi sipas tij nuk kishte mundësi tjetër për t’i larguar, duke qenë se i kishin bllokuar rrugën.
Pas goditjes me gotë, ka arritur të largohet me vrap, por është ndjekur nga të katërt dhe i është bllokuan sërish rruga, ku, sipas deklarimit të tij, është goditur përsëri.
Më pas Nela tregon se ka arritur të largohet edhe një herë me vrap, ka telefonuar nënën e tij dhe e ka njoftuar për ngjarjen dhe pas kësaj është paraqitur në komisariat për të bërë kallëzim.
Nela ka treguar se nuk ka pasur asnjëherë më pare konflikte me personat e përmendur dhe se, gjatë gjithë periudhës së punësimit, ka qenë korrekt në kryerjen e detyrave të tij, madje, sipas tij, është vlerësuar dhe falënderuar për punën që kryente.
Ai ka deklaruar gjithashtu se, gjatë gjithë kohës që është goditur, është kërcënuar vazhdimisht se do ta vrisnin dhe do ta zhdukin. Sipas tij, ata i thoshin njëri-tjetrit ta godisnin dhe ta vrisnin dhe, edhe pse ai ishte i gjakosur, vazhdonin ta nxisnin njëri-tjetrin të vazhdonin goditjet.
Po ashtu, i kanë thënë se nuk do ta lejonin të shkonte në polici dhe se nuk do ta linin të dilte nga banaku për të bërë kallëzim. Sipas deklarimit të tij, të njëjtat kërcënime i janë bërë edhe kur i kanë dalë në rrugë për herë të dytë, ku ai u dhunua sërish.
Ndërkohë Gjykata e Durrësit ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” me afat 45 ditor për dy personat që dhunuan kamerierin 18-vjeçar në Mal të Robit, Golem.
Njëri nga pronarët e hotelit Florian Habilaj dhe shoku i tij Enold Dragoti, të arrestuar nga policia e Kavajës akuzohen nga prokuroria për plagosje të rëndë me dashje.
Ndërkaq për Melson Nelën, xhaxhain e kamerierit, Genti Nela, që u kap me një kallashnikov dhe 3 karikatorë në automjet, gjykata vendosi masën “arrest me burg” pa afat. Sipas policisë, ai po shkonte të hakmerrej ndaj dhunës së ushtruar mbi nipin i cili u përfshi në konflikt për pagën me vëllezërit Habilaj, bashkëpronarë të hotelit.
Top Channel