Video/ Përmbytje masive në Japoni, shtëpi dhe automjete nën ‘pushtetin’ e ujit, priten mijëra evakuime
Vizita e pazakontë e drejtorit të CIA-s, John Ratcliffe, në Moskë këtë javë dyshohet se kishte si një nga qëllimet kryesore paralajmërimin e Rusisë që të mos ndërmarrë ndonjë sulm ndaj një vendi anëtar të NATO-s.
Sipas raportimeve të Wall Street Journal dhe CBS, Ratcliffe u përpoq të dekurajonte Moskën nga çdo veprim ushtarak kundër Aleancës, në një kohë kur agjencitë amerikane të inteligjencës vlerësojnë se Rusia mund të jetë duke u përpjekur të “testojë” unitetin dhe vendosmërinë e NATO-s.
Wall Street Journal raportoi se Presidenti rus Vladimir Putin mund të shqyrtojë mundësinë e një “sulmi të kufizuar” ndaj NATO-s në vitet e ardhshme.
Ndërkohë, Presidenti amerikan Donald Trump e minimizoi rëndësinë e vizitës së Ratcliffe në Moskë, duke e cilësuar atë si “gjysmë rutinë”. Në një intervistë me komentatorin konservator Glenn Beck, Trump tha se qëllimi kryesor ishte diskutimi për luftën në Ukrainë.
“Ne do të donim që lufta në Ukrainë të mbaronte”, deklaroi presidenti amerikan.
Gjatë qëndrimit në Moskë, Ratcliffe raportohet se ka diskutuar edhe për luftën në Iran. Sipas mediave amerikane, ai ka paralajmëruar për sanksione të tjera nëse nuk rihapet Ngushtica e Hormuzit.
Megjithatë, Trump mohoi se vizita e shefit të CIA-s kishte lidhje me Iranin apo me kërcënimet e mundshme ruse ndaj NATO-s.
“Ai nuk ishte atje për asnjë nga çështjet që përmendët”, tha Trump kur u pyet për këtë çështje.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, konfirmoi se Ratcliffe kishte udhëtuar në Moskë për bisedime “ndërmjet shërbimeve sekrete”, por tha se ai nuk ishte takuar me Vladimir Putinin.
Peskov deklaroi se është ende herët për të vlerësuar se në çfarë mase vizita do të ndikojë në procesin e rivendosjes së marrëdhënieve dypalëshe mes Moskës dhe Uashingtonit.
Sipas tij, për momentin nuk janë planifikuar bisedime të tjera, ndërsa kontaktet mes palëve i përshkroi si “pozitive”. Ai nuk pranoi të zbulonte temat konkrete që u diskutuan.
Vizita e fundit e njohur e Ratcliffe në Rusi ishte në nëntor të vitit 2021, vetëm pak muaj përpara nisjes së pushtimit rus të Ukrainës në shkurt 2022.
Top Channel