Bill Gates ngre alarmin për inteligjencën artificiale: Vendet e punës në rrezik, 40% duhet të rezervohen për njerëzit

26/08/2026 22:50

Inteligjenca artificiale do të jetë ose “mjeti më i madh për barazi i shpikur ndonjëherë”, ose “burimi më i keq i padrejtësisë”.

Kështu është shprehur Bill Gates, i cili në një seri intervistash dhe në një ese të publikuar në faqen e tij të internetit ka paralajmëruar për rreziqet që sjell IA-ja.

Sipas themeluesit të Microsoft, teknologjia e re është më e rrezikshme nga sa drejtuesit e industrisë janë të gatshëm ta pranojnë publikisht. Ai paralajmëroi gjithashtu se tranzicioni i shkaktuar nga inteligjenca artificiale mund të jetë një nga “periudhat më të trazuara në historinë njerëzore”, ndërsa qeveritë nuk janë ende të përgatitura për ta përballuar.

Gates nuk është i vetmi që ka ngritur alarmin për pasojat e IA-së. Edhe drejtues të kompanive si OpenAI dhe Anthropic kanë paralajmëruar liderët botërorë për nevojën e hartimit të politikave të reja për të zbutur rreziqet që lidhen me zhvillimin e kësaj teknologjie.

Duke folur për ndikimin e inteligjencës artificiale në tregun e punës, Gates paralajmëroi se shumë vende pune mund të zhduken përgjithmonë.

“Në vitin 1933, gjatë Depresionit të Madh, papunësia në Shtetet e Bashkuara arriti në 25 për qind. Inteligjenca artificiale mund të mos i arrijë ato nivele, por ndikimi i saj nuk do të shterojë në një cikël ekonomik”, tha ai.

Gates u bëri thirrje qeverive që të shqyrtojnë mundësinë e rezervimit të 40 për qind të vendeve të punës për njerëzit, duke argumentuar se disa profesione duhet të mbrohen nga automatizimi i plotë.

“Më pëlqen shprehja ‘e rezervuar për njerëzit’, sepse më bën të mendoj për rezervatet natyrore, vendet ku mund të ndërtohen ndërtesa dhe rrugë, por që ne kemi vendosur t’i ruajmë sepse do të ishte një humbje shumë e madhe”, shpjegoi ai në esenë e tij.

Për t’iu përgjigjur sfidave të paraqitura nga teknologjia e re, Gates u bëri thirrje autoriteteve në mbarë botën, përfshirë Kinën, që të bashkëpunojnë.

Top Channel