Dështimi i negociatave me SHBA, Carney: Jemi në luftë tregtare, Trump bëri një llogaritje të gabuar

23/08/2026 08:48

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Kanadaja dëshiron “përfitimet e të qenit shtet amerikan”, pasi negociatat tregtare mes dy vendeve dështuan të premten.

Në komentet e tij të para pas ndërprerjes së bisedimeve, Trump tha gjithashtu se fermerët amerikanë u janë përballur prej vitesh me “sasi të mëdha tarifash” nga Kanadaja.

Kryeministri kanadez Mark Carney i cilësoi tarifat e reja amerikane si një “llogaritje të gabuar”, të hartuar për “të na lënduar dhe përçarë”. Ai konfirmoi se Kanadaja do të përgjigjet me tarifa reciproke “dollar për dollar” duke nisur nga 8 shtatori.

“Jemi në një luftë tregtare”, tha Carney të shtunën. “Je në luftë kur sulmohesh. Ne u sulmuam.”

Tarifat e reja amerikane prej 50% do të zbatohen për një gamë të gjerë mallrash kanadeze, përveç masave ekzistuese ndaj çelikut, aluminit, automobilave dhe drurit.

Sipas të dhënave të cituara, tarifat e reja prekin rreth 20 miliardë dollarë importe kanadeze, ose rreth 5% të totalit, duke përfshirë verën, produktet e qumështit, çimenton, veshmbathjet dhe pajisjet e hokejit.

Carney tha se Kanadaja po kundërpërgjigjet “me ngurrim” për të mbrojtur interesat e saj, ndërsa detajet e masave do të bëhen publike në ditët në vijim.

Të dyja palët kishin shfaqur optimizëm për arritjen e një marrëveshjeje më herët gjatë javës, por negociatat u ndërprenë pasi SHBA-ja dhe Kanadaja akuzuan njëra-tjetrën për ndryshime dhe kërkesa të minutës së fundit.

Top Channel