Argjentina e pëson keq nga FIFA, Paredes dhe Molina marrin pezullime masive, mbyllet gjysma e stadiumit
Nëse Lojërat Mesdhetare do të ishin një operacion sekret, shteti shqiptar sapo ka thyer çdo rekord konspiracioni.
Shqipëria ka zbarkuar në Taranto, garat nisin nesër, ceremonia zyrtare mbrëmjen e sotme, flamuri kuqezi do të valëvitet në Itali, por në Tiranë… qetësi absolute. Delegacioni ynë sportiv u nis drejt një prej eventeve më të rëndësishme shumë-sportëshe të rajonit në majë të gishtave, me kujdesin maksimal për të mos zgjuar nga gjumi institucionet e veta dhe vëmendjen publike.
Asnjë fushatë, asnjë program prezantimi, asnjë shpallje objektivash, gjerësisht. Asgjë që të kujtonte se po nisnim një përfaqësim kombëtar. E vetmja shenjë jete institucionale ishte dorëzimi i flamurit. Por edhe këtu, patëm një rast tejet të pazakontë.
Në praktikën e konsoliduar të protokollit tonë shtetëror, Flamuri i Republikës i dorëzohet delegacionit nga Kreu i Shtetit. Këtë herë, me sa duket, vëmendja presidenciale ishte e zënë diku tjetër, ndaj detyra iu delegua ministrit përgjegjës për sportin. Dhe ky nuk është një detaj i thatë ceremonial; është një barometër. Në hierarkinë e atij që të dorëzon flamurin, lexohet qartë rëndësia që shteti i jep atij që e mban atë, megjithatë burimet thonë që presidenti nuk do të mungojë në festën e ceremonisë së hapjes së këtyre lojrave. Dhe bashkë me protokollin, u tkurr edhe interesi publik. Sot, pakush i di përgjigjet e pyetjeve elementare: Kush janë këta sportistë? Cilat janë gjasat tona për podium? Me sa medalje pretendojmë të kthehemi?
Në mungesë të përgjigjeve, krijohet përshtypja se sporti shqiptar nuk fillon në pistë apo në tapet, por fillon vetëm pasi fitohet medalja, kur nis edhe radha e gjatë e zyrtarëve për një foto në aeroport. Shteti ynë hesht para garës, sepse e ka më të lehtë të presë rezultatin për të shpikur emocionin, sesa të ndërtojë një kulturë të vërtetë sportive. Shqipëria nuk është pa histori në Mesdhetare (katër medalje në Oran 2022 janë aty), por ky edicion po trajtohet me entuziazmin e një inventari vjetor.
Të vetmit që kanë një alibi të qartë në këtë heshtje janë futbollistët. Kombëtarja U-21 rikthehet në Lojërat Mesdhetare pas 17 vitesh mungesë, jo domosdoshmërisht me sytë te medalja, por për ta përdorur turneun si nxehmje për Kampionatin Europian U-21 që do të presim vitin e ardhshëm. Të paktën, aty ka një plan.
Por po pjesa tjetër?
Nuk ka asnjë kritikë për sportistët; ata meritojnë çdo duartrokitje thjesht për faktin që vazhdojnë të garojnë nën një ombrellë institucionale që i kujton vetëm në ditë festash. Dhe pikërisht këtu, në këtë mungesë pretendimesh, Taranto 2026 gjen shpjegimin e vet thellësisht ironik. Në fund të viteve 1800, kur baroni Pierre de Coubertin ringjalli Lojërat Olimpike, ai gdhendi në histori një frazë që do të bëhej busulla e sportit modern: “E rëndësishme në jetë nuk është fitorja, por lufta; thelbësore nuk është të kesh fituar, por të kesh marrë pjesë mirë.”
Më shumë se një shekull më vonë, duket se institucionet shqiptare e kanë gjetur më në fund idhullin e tyre. Vetëm se atë që De Coubertin e mendonte si një ideal fisnik të shpirtit njerëzor, ne e kemi transformuar me sukses në një strategji zyrtare: ulim pritshmëritë, nuk premtojmë asgjë, nuk promovojmë askënd. Rëndësi ka që jemi aty…
Top Channel