“Do të jetë një ndeshje e madhe kundër një skuadre të madhe. Duam të bëjmë një paraqitje të mirë dhe do të provojmë. Edhe kundër një skuadre kaq të fortë nuk luan kurrë për të mos fituar”.

Kështu është shprehur Roberto Mancini në prag të përballjes së Italisë me Francën në “Stade de France”, në ndeshjen e tretë të Nations League. Trajneri italian zbuloi se nuk ka shumë dilema për formacionin, edhe pse disa ndryshime priten krahasuar me sfidën e luajtur në Bursa. “Nuk kam shumë dyshime për formacionin, do ta vlerësojmë gjithçka në stërvitjen e fundit. Do të ndryshojmë më pak krahasuar me Bursën, por diçka do të ndryshojë.

Pio apo Kean? Është edhe Scamacca. Tonali si organizator? Mund të jetë”, deklaroi Mancini. Sa i përket Kean, tekniku italian bëri të ditur se sulmuesi ka një problem fizik dhe vendimi për aktivizimin e tij do të merret pas vlerësimit të fundit. “Po vlerësojmë Kean, sepse ka një problem fizik. Nesër në mëngjes do të shohim gjendjen e tij dhe të lojtarëve të tjerë që luajtën në Bursa”. Mancini foli edhe për Francën dhe Zinedine Zidane, duke vlerësuar eksperiencën e ish-trajnerit të Real Madridit. “Ka qëndruar tre vite te Real Madridi, ka fituar tri herë Champions League dhe më pas ka pritur kombëtaren. Është një trajner me mjaft eksperiencë për ta drejtuar Francën”. Për Mancinin, Francë-Itali mbetet gjithmonë një përballje speciale.

“Franca-Itali nuk është kurrë një ndeshje banale. Ata janë përpara nesh në këtë moment dhe vijnë pas tre Botërorësh me rezultate të mëdha, ndaj nuk do të jetë një ndeshje si të tjerat. Është bukur të luash kundër një skuadre më të fortë, sepse të jep mundësinë për ta mundur. E dimë se duhet të përballemi me ta dhe ta luajmë mirë ndeshjen, duke u pozicionuar siç duhet në fushë”. Trajneri italian theksoi se sfida do të jetë një tjetër test për ekipin e tij. “Grupet e Nations League janë të gjitha të vështira. Franca është një nga skuadrat më të forta në botë dhe është plot me lojtarë të mëdhenj. Por kjo do të jetë një ndeshje që do të na tregojë diçka më shumë për atë që mund të bëjmë”.

Mancini përsëriti edhe filozofinë e tij për mënyrën se si Italia duhet ta përballojë sfidën: “U them lojtarëve të argëtohen. Objektivi ynë është të mbajmë topin dhe të kontrollojmë lojën. Nëse ata janë aq të mirë sa të na detyrojnë të vuajmë, atëherë do të mbrohemi, gjë që gjithsesi bëhet në çdo ndeshje”. Në fund, Mancini komentoi edhe largimin e kreut të delegacionit, Diana Bianchedi: “Na vjen shumë keq për atë që ndodhi. Diana na mungon. Nuk qëndroi shumë gjatë me ne, por është një ish-kampione e madhe dhe e kupton gjithçka rreth sportit. Me ne ka qenë perfekte”.

Top Channel