Francë-Itali është gjithashtu Zinedine Zidane kundër një pjese të mirë të së kaluarës së tij si futbollist dhe mes episodeve që e lidhin ngushtë me vendin tonë është, ende, ajo finale e Botërorit 2006.

“Gjuajtja me kokë ndaj Materazzit? Nuk kam pendesa, sepse është pjesë e karrierës sime. Nuk jam krenar për të, e them edhe sot, por është pjesë e një rrugëtimi. Nuk mund të bësh vetëm gjëra të bukura, kjo u ndodh të gjithëve në jetë, por tani duhet të ecim përpara dhe të mendojmë për atë që do të ndodhë nesër me Kombëtaren, pikërisht te kjo jam i përqendruar sot”, u përgjigj paksa i bezdisur trajneri aktual i përfaqësueses franceze.

“Pamjet ma kujtojnë gjithmonë, transmetohen kudo, por unë nuk kam bërë vetëm këtë, ka edhe pamje më të bukura të miat – shtoi Zizou – Mendoj për ato pozitive”.

Duke mbetur te e kaluara: “Juventusi dhe Italia kanë qenë shumë të veçantë për mua, aty u bëra një futbollist i rëndësishëm. Lippi? Frymëzohem nga të gjithë trajnerët, kam pasur disa të jashtëzakonshëm dhe Lippi është një prej tyre, sidomos në aspektin taktik. Italianët nuk janë inferiorë ndaj askujt nga ky këndvështrim dhe këtë gjë e kam mbajtur me vete”.

Tani, megjithatë, është koha për të përballuar një ndeshje të rëndësishme. “Italia nuk është e njëjta e dikurshme, ka cikle, por kjo është një skuadër e komplikuar. Lojtarët e mi janë gati për këtë ndeshje të tretë. Do të jetë një ndeshje e vështirë, ajo humbi ndaj Belgjikës, por fitoi ndaj Turqisë në një mënyrë të bukur. Nesër do të jetë një tjetër ndeshje, ne duhet të luajmë të përqendruar dhe ta bëjmë më të mirën”, vijoi ai.

“Jam përgatitur për tre vjet që të jem këtu sot, kam bërë tre vite formim, më pas kam drejtuar në Madrid, kështu që jam gati. Ishte ëndrra ime që një ditë të drejtoja Kombëtaren, tani jam këtu dhe nuk mendoj për gjërat negative, përkundrazi kam një skuadër të jashtëzakonshme. Do të përpiqem të jap gjithçka nga vetja që skuadra të jetë sa më performuese”.

Duke folur për Italinë që ka mbetur jashtë Botërorit për tre herë radhazi, Zidane shpjegoi se “është diçka e pabesueshme, është pjesë e historisë së futbollit dhe ka qenë e çuditshme, por unë nuk jam brenda atij sistemi, nuk e jetoj dhe nuk mund të kem një opinion. Megjithatë, duhet theksuar se skuadrat italiane kanë qenë gjithmonë në gjendje që në një ndeshje të bëjnë gjëra të pabesueshme, prandaj them se do të jetë një ndeshje e komplikuar për t’u luajtur”.

Top Channel