Dy muaj pasi Ministria e Financave hodhi për konsultim një ligj të ri për Bankën e Shqipërisë që parashikonte imunitet për Guvernatorin dhe Zëvendësguvernatorët, me qëllim mbrojtjen nga arrestimet dhe kontrollet ndaj tyre, një nismë e re e deputetëve socialistë e depozituar në Kuvend nuk e përmban më këtë dispozitë.
Nisma e re, e paraqitur nga deputetë të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe e depozituar në Kuvend më 25 shtator 2026, ku firmëtare figuron Milva Ekonomi, deputete e PS-së dhe kryetare e Komisionit për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, përcakton qartë se çfarë ndodh nëse Guvernatori apo Zëvendësguvernatorët shkarkohen nga detyra. Por vetë mazhoranca socialiste nuk e ka përfshirë në ndryshimet e reja të ligjit për Bankën e Shqipërisë mbrojtjen e posaçme procedurale, e cila vetëm pak muaj më parë ishte propozuar në një projektligj të ri integral për Bankën Qendrore.
“Guvernatori i shkarkuar nga detyra ka të drejtë ta ankimojë vendimin për shkarkim në Gjykatën e Drejtësisë të Bashkimit Evropian, ndërsa anëtarët e tjerë të Këshillit mund të ankimojnë vendimin për shkarkim në përputhje me legjislacionin për gjykatat administrative.”
Më 15 korrik 2026, Ministria e Financave kishte publikuar për konsultim projektligjin e ri integral “Për Bankën e Shqipërisë”. Konsultimi qëndroi i hapur deri më 12 gusht. Në atë draft, neni 72, “Dispozita të veçanta për administratorët”, vendoste një mbrojtje të posaçme për drejtuesit më të lartë të Bankës së Shqipërisë, të cilët nuk mund të arrestoheshin ose privoheshin nga liria dhe as t’i nënshtroheshin kontrollit personal apo të banesës pa autorizimin e Gjykatës Kushtetuese.
Por, dy muaj më vonë, nisma zgjedh një rrugë tjetër. Në vend të miratimit të një ligji tërësisht të ri për Bankën e Shqipërisë, projektligji i 25 shtatorit ndërhyn vetëm në disa dispozita të ligjit ekzistues nr. 8269/1997.
Paketa përmban 7 nene dhe trajton çështje që lidhen me financimin monetar, kreditimin e sektorit publik, titujt e qeverisë, rezervën e detyruar dhe statusin e drejtuesve të Bankës. Por mbrojtja nga arrestimi e parashikuar në korrik nuk figuron në nismën e re.
Kjo do të thotë se, nëse miratohet paketa e depozituar më 25 shtator, Guvernatori dhe Zëvendësguvernatorët nuk do të fitojnë përmes saj mbrojtjen e propozuar në draftin e korrikut.
Top Channel