“Më mungon çdo ditë”/ 13 vite nga aksidenti fatal në Alpe, rrëfimi prekës i bashkëshortes së Michael Schumacher: Kënga që këndonte gjithmonë ishte…
Nga prof. Artan Fuga
Ai në vitin kthesë 1990 nisi si festë, si çlirim, si një rrugë e shpejtë ndaj begatisë. Si një kërkim i lumturisë personale, por që do të lulëzonte edhe vendin.
Populli i bënte një dëm vetes së vet dhe kombin e vendit të tij. Pa e kuptuar, pa përvojën, pa ditur ç’pasoja do të sillte.
Nuk i zboi njeri në ato vite, iknin vetë, turrur drejt një utopie pa themel dhe baza, duke ndjekur propagandën e eldorados perëndimore, duke ikur një vendi të kthyer tokë e djegur nga dekada e fundit e izolimit, duke u cliruar nga situatë shoqërore sa e hidhur aq edhe dramatike. Nuk mendonte njeri nga të ikurit t’i vinte shpatullat vendit, por të çlirohej nga makthet disadekadashe dhe të ndërtonte jetën e vet.
Shihja me pezmatim turma njerëzish që rrëmbenin anijet, që kastile ishin lënë si gjoja kot në Port. Thosha me vete, kjo që sot duket si hareja e ikjes do të kthehet në zhgënjim dhe hall të madh për kombin dhe vendin.
Cilat u bënë pasojat?
– Pasi njerëzit ikën pushtetet nuk e patën vështirë të shisnin, mbyllnin, shkatërronin infrastrukturën prodhuese. Aty nuk kishte kush të punonte, papunësi nuk krijohej.
– Bujqësia u kthye në rendimente mesjetare prodhimi, tokat mbetën djerrë dhe pikërisht pastaj u bënë të gjitha kushtet për t’ua shitur tokat të huajve, sikurse thërrasim tani me të drejtë !
– Me paratë që u dërgonin familjeve, një gjest fisnik, emigrantët nuk kuptonin që rrisnin çmimet artificialisht në Shqipëri, njëherë edhe krijonin inflancion të lekut, por pastaj edhe të euros. Jeta në Shqipëri u bë shumë e shtrenjtë dhe paradoksalisht edhe paratë e ardhura nga emigracioni u zhvleftësuan sepse kishin gjithnjë e më pak fuqi blerëse. Ekonomia prodhuese e vendit shkoi drejt zeros.
– Paratë e dërguara nga jashtë nxitën parazitizmin në Shqipëri, për një jetë të lehtë pa punë. Njerëzit harruan profesionet.
– Të larguarit, njerëz të gjallë, e dobësuan opinionin publik të vendit, dhe prandaj politika, burokracia, oligarkët morrën të përpjetë dhe shteti e shtypi me këmbë individin.
Pas dy dekadave të para kur emigrimi ishte një farë aventure e zgjedhur lirisht nga individi, një harè e çmendur që përfshiu këdo dhe askush nuk e pengoi, nisi faza e dytë.
Ajo e zbimit.
Vendi nuk kishte më prodhim, punë, nuk premtonte më asgjë. Ose ik, ose zvarrisu! Kjo është faza e dytë që u përgatit nga e para.
Hareja u kthye në dramë, në një zbim i pathënë. Kush është i pakënaqur nuk ka përse voton për opozitën, por le të iki! Ne u bëmë ironikisht kombi më i kënaqur në botë! Cdo anketim e provonte! Me një kleçkë: Të pakënaqurit i kishin… vrarë, me falni, i kishin shtyrë të iknin.
Gradualisht, hareja e emigrimit u shndërrua në dramë dhe zbim, pastaj u shëndrua në mbyllje dere.
Vendi nuk ka më struktura protëse në planin prodhues, shëndetësor, rrugor, arsimor për të pritur emigrantët që të rikthehen. Elita të caktuara brenda vendit konsiderojnë se të ikurit u kanë bërë nder, vendet e punës që ata kanë liruar i kanë zënë vendasit.
A ikët?! Cfarë doni me ne? Dhe shprehja vrastare: Mos na u ngatërronçi nëpër këmbë neve që kemi vendosur të rrisim fëmijët këtu!
Dhe për t’ua bërë ikjen definitive, u dhanë edhe të drejtën e votës! Një e drejtë qesharake, që në fakt ishte këshilla: Rrini atje ku jeni, ju jeni shqiptarë…online, në distancë! Ju dërgoni zarfat me votë, atë e numërojmë ne këtu!
Boshatisja e vendit kaloi në një etapë tjetër. Tani me anë të mbylljes së derës. Për arsye objektive… !!! Nuk ka vend për ju këtu! Ekonomia nuk ka taska për të mbledhur. Sigurimet, telefonia, bankat, tregu i brendshëm, mediat ndjejnë mungesën demografike… Duhen klientë, taksapagues, për të mos thënë se duhen bojaxhinj, zdrukthtarë, riparues këpucësh… Nuk ka! Blini këpucë të reja! C’u duhet t’i riparoni!
Nuk ka vende pune. Jetoni me sigurime shoqërore, me pensione, me ndihma, me lëmosha, në kurriz të emigrantëve… Nuk keni mundësi të hani mirë? Hani byrekë! Mungesa e taksapaguesve rriti taksat për ata që kishin mbetur në vend. Litari u shtrëngua në fyt!
Ndërkohë që burokracia politike administrative vetëpaguhej gjithnjë e më tepër. Nuk kishte opinion publik! Kishte ikur opinioni bashkë emigrantët!
Faza e katërt: Ndërgjegja e fajit!
Toka po zihet nga të ardhur nga kombe të tjerë. Qarkullim i lirë i njerëzve. Indonezianë, filipinas, afrikanë, dihet hapësira bosh do të mbushej. Emigracioni kupton se elitat në vend s’kanë më as si krahë pune nevojë për ta!
Kanë ikur me haré, a si zbim, a si mbyllje dere jashtë vendi, por shohin që të afërmit e tyre në Shqipëri trajtohen si “mbetje sociale”, burokracia i ka marrë nëpër këmbë. Tanimë jo vetëm tokat janë djerrë,por rrezikojnë t’ua marrin!
Historia dramatike, vota e harxhuar kot, nostalgjia për vendin, mbetja pa atdhe, as atje, as këtu, tëhuazimi në vendin e tyre të lindjes, një sërë faktorësh nxisin dëshpërim. Kërkohet fajtori tani!
Më në fund koshienca e fajit arrin, derdhet në shesh, në forma radikale, por energjia e kritikës a përputhet me mundësinë për ta zhbërë fajin e të gjithëve, për ta korrigjuar harenë e fillimit, për ta shlyer mosveprimin kur nisi zbimi, për ta kundërshtuar mbylljen e derës, për t’u çliruar nga iluzioni i gjoja së drejtë së votës?
Mos është vonë? – pyet personazhi im Adrian Nuri, në romanin Ndëshklimi Dytë i Evës? (Botimet Papirus).
Se të premten proteston, shumë mirë, por të hënën duhet të jesh nëpunë në Londër, Amsterdam, Mynih, Milano, Selanik a Ankara! Përsëri i le në shesh atë që kanë vendosur t’i rrisin fëmijët në Shqipëri?
Ata të presin!
Por, edhe ti nuk ke se çfarë bën! Të pret pagën kapitalisti po qe se nuk je në punë!
Kjo është historia: Harè, zbim, mbyllje dere, fajësim, ikje përsëri në një iluzion që gjithsesi na bën të mësojmë si popull të vërteta që popujt e tjerë i dinë, por jo të gjitha i thonë:
Emigrimi e shkatërron një vend!
Nuk e dinim! Ca e dinin, por kush të dëgjon kur tjetri është në haré e sipër!
Top Channel