Nga Mentor Nazarko

Kur ditën e shpalljes së vendimit ndaj krerëve të UÇK-së kam thënë publikisht se Kosovës i nevojitet pajtim brendashoqëror, siç nisi Rugova në 2002 (me qeverinë e Bajram Rexhepit) dhe në 2004 (me qeverinë e Ramush Haradinajt), kisha në themel shqetësimin e krijuar nga animoziteti i brendshëm i shoqërisë pas vendimit, siç po duket sot. Skeletet po dalin nga dollapet e palëve – mjafton të shohësh hapësirën publike, apo dhe rrjetet. Fiks siç e do hasmi, domethënë Serbia.

Në këtë situatë të trishtë, atyre që i referohen Rugovës edhe për dreqnitë e tyre, do t’u kujtoja se përpjekja (edhe e Dhomave të Specializuara) për të nxitur apo paraqitur konfliktin UÇK–FARK (apo LDK) e ka zanafillën te Millosheviçi, në ballafaqimin e tij me drejtësinë ndërkombëtare. Filmi është i vjetër, regjisori është i njohur. Aktorët janë kosovarë! Filma me konfliktualitet të tillë ka dhe gjetiu. Po a i duhet Kosovës?

Megjithë nevojën për drejtësi – dhe drejtësia ndërkombëtare mund të bënte vërtet drejtësi për familjet e viktimave – shembulli i burrështetasit Rugova, vizioni i tij vjen i fuqishëm sot. Megjithëse dhe mund të ishte viktimë, Rugova pra, megjithë peripecitë e veta, kurrë nuk ra në grackë – nuk i pranoi kurrë këto pretendime të Millosheviçit: “Nuk është e vërtetë; nuk di asgjë” – iu përgjigj provokimeve të kasapit të Ballkanit dhe të popullit të Kosovës.

“Po bëhen hetime” (për vrasjet pas luftës) – tha Rugova me largpamësi. Dhe, më në fund, Millosheviçi e provokoi duke i thënë: “Më shih në sy dhe prano se më ke kërkuar mbrojtje se do të vriste UÇK-ja.” Rugova iu përgjigj: “Gënjen! Unë kurrë nuk kam pasur frikë se do të vritem nga një shqiptar!”

Dikujt tjetër do t’i kujtoja fjalët e Jusuf Gërvallës para se të mbyllte sytë, I vrarë në atentat: “Nëse është shqiptar, kurrë mos qoftë!”

Këta dy burra janë pasqyra ku duhet të shihet politika dhe shoqëria kosovare sot!

Pajtimi është vonë, por ai duhet të përmbyllet me çdo kusht! Mjaft me luftë të brendshme politike dhe shoqërore. Duhet bashkim!

 

 

Top Channel