Live/ “Të gënjen mendja nëse mendon se po përçahemi”, dita e 29-të e tubimit, protestuesit nisin marshimin në rrugët e kryqeytetit
Në dhjetë vitet e fundit u dogjën nga zjarret dhe u dëmtuan 32 hektarë pyje që ishin pjesë e fondit në zonat e mbrojtura.
Dëmtimi i kësaj sipërfaqeje nga vatra zjarresh të ndezura jo vetëm nga fenomenet natyrore, por më së shumti nga faktori njeri, iu komunikua Exclusive me Anila Hoxhën, përmes Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, një institucion i krijuar prej 2015 që ka për detyrë të mbrojë dhe të menaxhojë zonat e mbrojtura me ligj si parqet kombëtare, rezervatet natyrore dhe habitatet e veçanta. Vetëm gjatë vitit të kaluar agjencitë rajonale të zonave të mbrojtura deklaruan të shkrumbuara 1291 hektarë pyje që ishin pjesë e parqeve.
Por a janë temperaturat e larta dhe pakujdesia elementët që ndezin vatrat e zjarrit në zona të mbrojtura dhe jo vetëm, duke shkaktuar shpyllëzimin dhe duke lënë vend për të dyshuar se sipërfaqe të tëra digjen edhe për të hapur territore që kthehen më pas në kantiere ndërtimi? Kjo pistë nuk përjashtohet nga institucione si Ministria e Brendshme që, ndonëse e shkruajnë në strategji se si luftohet krimi, ende nuk ka të dhëna policore dhe hetimore ndaj këtyre grupeve kriminale.
Çështja më e njohur aktualisht është ajo e Zvërnecit që gjendet nën juridiksionin e SPAK, pas ekspozimit të grupeve kriminale të dyshuara se falsifikuan praktikat dhe tjetërsuan pronësinë në një pjesë të hartës pyjore. Por kjo veprimtari, më shumë sesa krim mjedisor, i implikon të dyshuarit në skema të pastrimit të parave. Strategjia kombëtare 2026–2030 për të parandaluar dhe luftuar krimin e organizuar parashikon mundësinë që një kategori e caktuar e krimeve mjedisore të njihen si formë e krimit të organizuar.
“Vëmendje e shtuar në këtë strategji do t’i dedikohet parandalimit dhe luftës ndaj krimeve mjedisore. Për arsye të qarta, grupet e strukturuara kriminale janë më pak të interesuara për një zhvillim të tillë të qëndrueshëm dhe me anë të investimeve të tyre kanë si objektiv rritjen e përfitimeve nëpërmjet aktiviteteve kriminale. Një fushë tjetër ku individë dhe grupe kriminale janë shfaqur aktivë është shfrytëzimi i burimeve natyrore, njëra prej të cilave është industria e lëndëve të para. Shqipëria ka pësuar shpyllëzime masive dhe përkeqësime si rezultat i prerjeve të paligjshme, në të cilat kanë kontribuar grupe lokale të krimit të organizuar dhe zyrtarë të korruptuar”, shkruhet në dokument.
Por, me gjithë indiciet, nuk ka ende asnjë rast të referuar, të hetuar apo nën procedim dhe gjykim ku të shqyrtohet veprimtaria e individëve që dëmtojnë mjedisin, shkatërrojnë burimet natyrore, ujin, ajrin dhe tokën, apo që dëmtojnë zonat e mbrojtura për të nxjerrë përfitime materiale për llogari të grupeve kriminale. Një ndër to do të kishte qenë edhe shpyllëzimi, prerja ilegale e pyjeve apo djegia e ndërtesave të vjetra me vlerë historike.
Drejtori i Qendrës Burimore të Mjedisit, Mihallaq Qirjo thotë: “Ajo që vërejmë tani në raport me krimin mjedisor është se, ndryshe nga vitet e mëparshme kur bëhej në mënyrë individuale, sot bëhet në mënyrë të qëllimshme dhe tepër agresive, është shumë i sofistikuar ndonjëherë dhe çon në djegien e një pylli apo të zonave që kanë vlera të veçanta. Në disa vite kemi parë që problematika kryesore ka qenë mosadresimi i këtyre çështjeve me fuqinë e ligjit; harresa e dosjeve zgjatet në mënyrë të pakuptimshme, gjë që forcon krimin mjedisor në terren”.
Top Channel