Fiks Fare rikthen në vëmendje një prej premtimeve më të përsëritura për qytetarët e Tiranës: “Furnizimin me ujë 24 orë në ditë”.
Premtim i dhënë në 13 vite nga Rama dhe Veliaj por akoma i pambajtur.
Ndërsa prej vitesh flitet për investime, projekte dhe përmirësim të rrjetit, në shumë zona të kryeqytetit qytetarët vijojnë të përballen me ndërprerje të furnizimit.
Vera e vitit 2026, me temperaturat e larta dhe kërkesën e shtuar për ujë, e bëri edhe më të dukshëm problemin.
Për shumë familje, hapja e rubinetit nuk do të thotë domosdoshmërisht se uji do të rrjedhë. Në zona të ndryshme të Tiranës, banorët tregojnë se përballen me ndërprerje të gjata, presion të ulët dhe furnizim në orare të caktuara.
Banorët e lagjeve të ndryshme në kryeqytet kanë treguar për Fiksin se furnizimi me uji 24 orë është vetëm një premtim në fushatë. Ata tregojnë se uji vjen me orare të caktuara dhe me intervale shumë të shkurtra. Dhe jo vetëm kaq por edhe kur ka uji ai nuk është I pijshëm. “Ne nuk e pime ujin e rubinetit, vjen me orare të reduktuara” tregon një banore.
Një situatë që ndikon drejtpërdrejt në jetën e përditshme të qytetarëve. Premtimi për ujë 24 orë nuk është i ri. Ai është artikuluar prej vitesh, ndërsa paralelisht janë prezantuar investime dhe projekte për rehabilitimin e rrjetit, reduktimin e humbjeve dhe rritjen e kapaciteteve të furnizimit. Por pyetja që ngrihet është e thjeshtë: kur do të vijë uji 24 orë në rubinetet e çdo familjeje?
Fiks Fare ka kërkuar përgjigje nga drejtuesit përgjegjës për furnizimin me ujë.
Drejtori i UKT, Flauers Shoshi tha për Fiksin se “Brenda dy viteve, Tirana me ujë 24 orë”
Përballë problematikave të ngritura, drejtori përgjegjës për furnizimin me ujë shpjegon se zgjidhja kërkon ndërhyrje në infrastrukturë dhe kohë për realizimin e investimeve.
Sipas tij, brenda dy viteve synohet që Tirana të ketë furnizim me ujë 24 orë në ditë. Ai argumenton se investimet dhe ndërhyrjet në rrjet do të bëjnë të mundur përmirësimin e furnizimit dhe reduktimin e ndërprerjeve. Pra, sipas përgjigjes zyrtare, qytetarët duhet të presin edhe dy vite për realizimin e objektivit të furnizimit të pandërprerë.
Por ky afat ngre një tjetër pikëpyetje: a do të jetë ky afati përfundimtar për një premtim që është bërë prej vitesh? Ndërkohë, qytetarët nuk presin vetëm projekte apo deklarata.
Ata kërkojnë një shërbim bazë dhe të përditshëm: ujë në rubinet, në çdo orë të ditës.
Top Channel