Pas 40 vitesh nën ujë, rishfaqet stacioni historik i “Hekurudhës së Vdekjes” në Tajlandë

18/06/2026 08:48

Një pjesë e “Hekurudhës së Vdekjes” në Tajlandë është shfaqur sërish në sipërfaqe pas më shumë se katër dekadash nën ujë, duke tërhequr vëmendjen e historianëve, studiuesve dhe turistëve nga e gjithë bota.

Bëhet fjalë për stacionin historik Nithe, një pikë e rëndësishme furnizimi me karburant përgjatë linjës famëkeqe hekurudhore që lidhte Tajlandën me Mianmarin gjatë Luftës së Dytë Botërore. Stacioni kishte mbetur i zhytur nën ujë për rreth 40 vjet, por u zbulua këtë vit pasi rezervuari i zonës u tha për shkak të punimeve të mirëmbajtjes në një digë aty pranë.

Linja hekurudhore, e njohur si “Hekurudha e Vdekjes”, shtrihej në rreth 413 kilometra dhe u bë e famshme edhe përmes filmit “Ura mbi lumin Kwai” të vitit 1957. Ajo mori këtë emër tragjik për shkak të mijëra viktimave që humbën jetën gjatë ndërtimit të saj.

Hekurudha u ndërtua mes tetorit 1942 dhe tetorit 1943 nga rreth 60 mijë robër lufte aleatë, kryesisht nga Britania e Madhe, Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja, si dhe nga qindra mijëra punëtorë aziatikë të detyruar të punonin në kushte ekstreme.

Fotografitë e publikuara nga mediat tajlandeze tregojnë segmente të shinave origjinale, si dhe mbetje të strukturave që shërbenin për funksionimin dhe mirëmbajtjen e rrjetit hekurudhor. Ekspertët e konsiderojnë zbulimin një mundësi të rrallë për të studiuar pjesë autentike të linjës origjinale, pasi shumë prej stacioneve të tjera janë shkatërruar ose rindërtuar me kalimin e viteve.

Studiuesi australian Martyn Fryer, gjyshi i të cilit humbi jetën gjatë ndërtimit të hekurudhës në vitin 1942, deklaroi se kishte tentuar disa herë ta vizitonte stacionin Nithe, por niveli i lartë i ujit nuk e kishte lejuar më parë të shihte strukturat historike.

Sipas ekspertëve, niveli i ujit këtë vit ka rënë në pikën më të ulët të dekadave të fundit, duke bërë që rrënojat të shfaqen më qartë se kurrë më parë. Fenomeni ka kthyer zonën në një destinacion të rëndësishëm për studiuesit e historisë së Luftës së Dytë Botërore dhe për vizitorët që kërkojnë të njohin nga afër një nga kapitujt më tragjikë të historisë së Azisë Juglindore.

Top Channel