Sot po mbahet në kryeqytet dita e 19-të e protestës jopartiake.
Ndërkohë sapo ka nisur marshimi, ndërsa thirrja e fundit e protestuesve ishte: Të shkojmë te SPAK dhe t’i themi çfarë po pret që nuk arreston Ballukun?
Qytetarët nisën grumbullimin në sheshin ‘Skënderbej’, por këtë herë ka ndryshuar itinerari i marshimit.
Protestuesit marshuan tek Kuvendi, aty ku ndodheshin deputetët e PS-së dhe kryeministri Rama. Pas kësaj ndalese, ata marshuan edhe pranë selisë së PD-së, ku u përplasen me demokratët.
“Dorezoni mandatet, dotezoni mandatet. Parlamenti i turpit”, ishin thirrjet e protestuesve.
Marshimi vazhdoi në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ për t’u stacionuar para Kryeministrisë aty ku u mbajtën edhe fjalimet.
“Policia e shteti ka proceduar të rinj dhe të reja, edhe mua, por unë se kam problem. Nuk ka pasur nevojë, duhet të na kuptojnë shefat e policisë dhe ta mirëkuptojnë që këtu jemi edhe për ata policë që trajtohen si lecka”, u shpreh Alben Kola.
Protestës iu bashkuan edhe 5 deputetë demokratë:
Arjan Ndoja, Kliti Hoti, Greta Bardeli, Klodjana Capja dhe Jorida Tabaku.
Aktivisti Edison Likaj:
Dua të bëj një replikë të vogël me një përfaqësues të PD-së, që ka thënë që në protestë s’ka ligjërim politik dhe fjalime serioze. Më duhet t’i them personazhit në fjalë që në këtë protestë është shumë më shumë se keni kërkuar ju dhe kemi imagjinuar ne.
Fundi i saj është që t’i servilosen kryetarit 90-vjeçar, mos se është turp, lini dinjitetin dhe integritetin. Jeni të rinj, keni revoltë dhe t’i thoni kryetarit: “Poshtë more, largohu!”
Edhe diçka për disa përfaqësuesit e rinj të partive politike: e kuptoni që s’vleni sa Marjana Koçeku more? Por tërhiquni më nga partitë tuaja, bashkohuni me popullin dhe njerëzit.
Marshimi i cili nisi nga sheshi ‘Skënderbej’, kaloi edhe pranë Fan Zone duke i brohoritur qytetarëve: Bashkohuni me ne!
Sot, ashtu siç edhe u lajmëruar, nisja e grumbullimit u shty për në orën 19:00 nga ora 18:00 që ka qenë ditët e kaluara.
Top Channel