Fiks Fare/ Ish-Uzinën e Superfosfatit në Laç, bombë mjedisore me 300 mijë ton mbetje të rrezikshme. Objekti pa roje dhe paga për punonjës fantazmë

18/06/2026 20:50

Ish-Uzina e Superfosfatit në Laç vazhdon të mbetet një problem i hapur mjedisor dhe sigurie, ndërsa mbetjet e rrezikshme që ndodhen në territorin e saj prej vitesh janë lënë në mëshirë të fatit.

Sipas një raporti të Vlerësimit Strategjik Mjedisor të hartuar nga vetë Bashkia Kurbin, pranohet ndikimi i madh negativ që ish-uzina vazhdon të ketë mbi mjedisin. Në dokument thuhet se një stok mbetjesh mund të çlirojë arsenik dhe bakër në ujërat nëntokësore, duke rrezikuar ndotjen e burimeve të ujit të pijshëm.

Uzina e Laçit ka funksionuar nga viti 1967 deri në fillim të viteve 2000, periudhë gjatë së cilës përdorej fosfati i kalciumit për prodhimin e plehrave kimike. Sot ajo është jashtë funksionit, ndërsa përpjekjet për privatizimin e saj kanë përfunduar vetëm me shitjen e pjesshme të aseteve. Në territorin e saj ndodhen rreth 300 mijë ton mbetje të pasura me hekur, të shpërndara në një sipërfaqe prej 38 hektarësh.
Problematika evidentohet edhe në raportin kombëtar të publikuar nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit për vitin 2025, ku ish-Uzina e Superfosfatit në Laç klasifikohet si një zonë me përqendrim të lartë të kimikateve dhe metaleve të rënda.

Megjithëse në dokumentacion rezulton se territori ruhet, realiteti në terren është krejt ndryshe. Godinat e rrënuara janë lënë në harresë dhe në territor mund të hyjë kushdo pa asnjë pengesë.

Emisioni Fiks Fare e ka trajtuar këtë problem që në vitin 2012, kur persona të ndryshëm hynin në uzinë për të marrë dhe shitur skrap. Vetëm një ditë pas transmetimit të kronikës së asaj kohe, Ministria e Ekonomisë reagoi duke larguar nga puna rojet përgjegjëse. Por pas 14 vitesh, rrënimi ka vazhduar dhe situata duket se ka mbetur e pandryshuar.

Ish-magazinieri i uzinës, Shkëlqim Lama, denoncon se aktualisht paguhen persona për ruajtjen e territorit, madje ekziston edhe një drejtor, ndërkohë që askush nuk qëndron realisht në objekt. Sipas tij, këto para mund të përdoreshin për njerëz në nevojë dhe jo për punonjës që nuk kryejnë funksionin e tyre.

Ai shton se ndër vite në territorin e uzinës kanë humbur jetën persona që kërkonin skrap mes rrënojave, duke treguar rrezikun që vazhdon të paraqesë zona.

Fiksi kontaktoi edhe me Ylli Lamën, ish-roje të objektit, i cili në një bisedë telefonike tregoi se ka punuar deri në vitin 2024 dhe më pas është larguar për shkak të mosmarrjes së pagave. Ai deklaroi se ndodhet në procese gjyqësore për pagat e prapambetura.
Ndërkohë, nipi i tij, Geraldo Lama, i cili vazhdon të figurojë si roje, pranoi se nuk ka marrë pagë prej kohësh dhe se i paguhen vetëm sigurimet shoqërore. Ai deklaroi se kalon herë pas here pranë objektit, por nuk qëndron aty pasi mungojnë kushtet minimale për të kryer shërbimin.

Edhe drejtori i shoqërisë pranoi se aktualisht janë vetëm dy roje dhe një drejtor. Sipas tij, prej vitesh nuk janë paguar dhe presin likuidimin e detyrimeve. Ai shpjegoi se që prej vitit 2016 ndërmarrja funksionon si shoqëri aksionare dhe kishte të drejtë të vetëfinancohej përmes shitjes së aseteve, por kjo nuk është realizuar pasi nuk ka pasur interes për blerje.

Sipas drejtorit, Ministria e Ekonomisë ka vendosur së fundmi mbylljen e pesë shoqërive aksionare shtetërore dhe detyrimet financiare ndaj stafit pritet të shlyhen përmes shitjes së aseteve.

Kështu, ndërsa shteti u detyrohet paga personave që duhet të ruanin objektet shtetërore, ish-Uzina e Superfosfatit vazhdon të mbetet e braktisur, e pambrojtur dhe një rrezik i vazhdueshëm për mjedisin dhe sigurinë publike.

Top Channel