Gazetari në “Top Story”: Në momentin që protestën e merr në dorë një sindromë Tik Tok-u, njerëzit shkojnë pas Berihait/ Hasimja: Ka demokratë në protestë që…

18/06/2026 21:56

“Top Story” diskutoi mbrëmjen e sotme për protestën jopolitike të qytetarëve, e cila vijon prej 19-të ditësh.

Pedagogu Ermal Hasimja u shpreh se protesta ka edhe demokratë të cilët nuk bien dakord me thirrjet “Rama n’burg, Berisha n’burg”, por sërish janë në tubim.

Ermal Hasimja: Protesta me shumë gjasa është në një moment pjekjeje. Protesta ka arritur maksimumin e pjesëmarrjes së saj. Po t’i mbledhësh të gjithë ata që kanë dalë, aty mund të kenë dalë 70 mijë veta të ndryshëm. Është një moment ku protesta ka nevojë për të patur një strategji, një organizonim më të qartë, mendoj që në këtë moment instinktivisht edhe ata që janë iniciator, nuk është e qartë nëse është një grup apo dy tre grupe, se kanë mbivendosje.

Unë mendoj që avantazhi i protestës, ajo që e bën të fortë, është fakti që përfaqësimi nuk ngurtësohet me disa njerëz ose një grup njerëzish. Në momentin që protesta mund të kalojë në një përfaqësi, protesta mund të organizohet, por jo të përfaqësohet. Në këtë moment po ia del edhe duke patur jo domosdoshmërish dakordësi të plotë. Aty ka demokratë që janë në protestë që nuk janë dakord me ‘Rama n’burg, Berisha n’burg’, ata kanë versionin e tyre ‘Rama n’burg, Belinda n’burg”, por sërish ata janë në protestë. Protestës i duhet të mendojë, të reflektojë.

Gazetari Flogert Muça u ndal tek protesta, por duke u shprehur se po e merr në dorë “një sindromë Tik Tok-u”.

Flogert Muça: Problemi është që aty çdo gjë mund të trokasë në një banalitet shumë të shpejtë, nëse nuk e merr në dorë një segment intelektualësh. Në momentin që një protestë e merr në dorë një sindromë Tik Tok-u, dhe njerëzit shkojnë pas Berihait, në momentin që njëri thërret shkojnë pas Berihait, do vrasë ëndrra. Nuk mund të kthehet një podium me fjalët e fundit të fjalorit. Ata që kishin ikur në Rinas kishin pirë birra dhe bërtisnin në Tik Tok, për mua ishte një zhgënjim pasi kisha pasur imazhin e frymës europiane.

Top Channel