Nga “Iliria” te “Marshall Tito”, ndryshimi i emrave të shesheve dhe rrugëve në Tetovë sjell debat në Maqedoninë e Veriut
Parlamenti Europian ka miratuar në seancën e sotme rezolutën mbi raportin për Shqipërinë për vitin 2025, me 483 vota pro, duke sinjalizuar mbështetje të qartë politike për procesin e integrimit europian të vendit.
Raporti, i hartuar nga raportuesi për Shqipërinë Andreas Schieder, ishte diskutuar më herët në Komisionin për Punët e Jashtme, ku kishte marrë 58 vota pro, 7 kundër dhe po aq abstenime.
Në debat, Schieder dhe Komisionerja për Zgjerim Marta Kos vlerësuan progresin e Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Europian, duke theksuar se objektivi për mbylljen e negociatave deri në vitin 2027 mbetet i arritshëm nëse vijon ritmi aktual i reformave.
Dokumenti kërkon forcimin e organeve të qeverisjes së drejtësisë dhe investime në infrastrukturë e dixhitalizim, ndërkohë që thekson se korrupsioni mbetet shqetësim serioz dhe kërkon forcim të hetimeve dhe dënimeve, sidomos në nivele të larta;
Rezoluta, tashmë një dokument i miratuar nga eurodeputetët, konfirmon se vendi vazhdon të bëjë progres në shumicën e fushave të lidhura me anëtarësimin, ndërsa thekson nevojën për reforma më të thella, më të qëndrueshme dhe të pakthyeshme;
“…Vëren se kuadri zgjedhor konsiderohet përgjithësisht i përshtatshëm, por shpreh shqetësime për barazinë e kushteve, keqpërdorimin e burimeve administrative, akuzat për blerje votash dhe presion mbi votuesit; bën thirrje për reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse dhe zbatim të rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias; Shpreh shqetësim për polarizimin politik dhe diskursin përplasës që dëmton funksionimin e institucioneve demokratike”, thuhet më tej në draftin e miratuar.
Përpara votimit përfundimtar të rezolutës, eurodeputetët rrëzuan amendamentin që lidhej me projektet në zonën e Vjosë–Nartës dhe Sazanit, përfshirë edhe shqetësimet e ngritura për zhvillimet turistike në këto zona të mbrojtura.
Në versionin e amendamentit të rrëzuar, ishte shprehur shqetësim për marrëveshjen e qeverisë shqiptare me kompaninë Affinity Partners të Jared Kushner për zhvillimin e një resorti luksoz në Sazan dhe në zonën e Vjosë–Nartës, si dhe kërkohej mbështetje për hetimin antikorrupsion që po zhvillohet nga SPAK në këtë kontekst. Po ashtu, theksohej nevoja për garantimin e të drejtës së protestës paqësore dhe shmangien e çdo shtypjeje nga kompani private sigurie, pas incidenteve të raportuara në fund të majit 2026.
Në amendamentin e miratuar thuhet “…shpreh shqetësim serioz se zhvillimet e vazhdueshme brenda zonës së mbrojtur natyrore të Vjosës tregojnë pasojat praktike të këtyre ndryshimeve ligjore dhe rreziqet që ato sjellin për zona me vlera të njohura ekologjike; ndjek nga afër protestat paqësore të vazhdueshme në këtë drejtim; u bën thirrje autoriteteve shqiptare që të vendosin menjëherë një moratorium për të gjitha procedurat e reja të dhënies së lejeve, punimet e ndërtimit dhe ndërhyrjet zhvillimore brenda zonave të mbrojtura derisa dispozitat e papajtueshme të Ligjit të ndryshuar për Zonat e Mbrojtura të jenë shfuqizuar, bazuar në një kërkesë të kahershme të Komisionit dhe Parlamentit dhe në përputhje me kriteret përmbyllëse të Kapitullit 27, si dhe derisa të sigurohet përputhshmëria e plotë me standardet e BE-së për mbrojtjen e natyrës; nënvizon se çdo projekt në këtë zonë duhet t’i nënshtrohet vlerësimeve gjithëpërfshirëse të ndikimit në mjedis, plotësisht në përputhje me standardet e BE-së, duke përfshirë një proces transparent të pjesëmarrjes publike me komunitetet lokale, shkencëtarët dhe shoqërinë civile”.
Ndërkohë, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka përshëndetur miratimin nga Parlamenti Europian të Rezolutës duke shkruar:
“Ky vendim i përfaqësuesve të drejtpërdrejtë të qytetarëve europianë është një vlerësim i madh i progresit solid të Shqipërisë sonë në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Europian”, shprehet Balla.
Ai falënderoi të gjithë eurodeputetët që votuan në mbështetje të rezolutës, ndërsa një falënderim të veçantë ia kushtoi raporterit për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Andreas Schieder, Grupit të Socialistëve dhe Demokratëve, si dhe Andrey Kovatchev për kontributin e tyre në mbështetje të perspektivës europiane të vendit.
Top Channel