Moska konfirmon incidentin në Kanalin Anglez: Fregata ruse hapi zjarr ndaj një veliere britanike
Një bisedë e shkurtër mes kryeministrit të Kanadasë Mark Carney dhe presidentit amerikan Donald Trump, e kapur nga një mikrofon i hapur gjatë Samitit të G7 në Francë, ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare.
Ngjarja ndodhi përpara një dreke pune mes liderëve botërorë, ku diskutimet ishin përqendruar te krizat globale. Fillimisht, Carney dhe Trump shkëmbyen disa batuta lidhur me një orë të lënë mbi tavolinë nga presidenti francez Emmanuel Macron.
Pak çaste më vonë, mikrofoni regjistroi Carney duke i shpjeguar Trumpit marrëveshjen e arritur me Kinën, e cila parashikon importimin në Kanada të deri në 49 mijë automjeteve elektrike kineze me tarifa më të ulëta.
“Më pak se 3 për qind e tregut tonë, 49 mijë makina. Është një kufi që ne e kemi vendosur, një vijë e kuqe e fortë. Mendova se kjo do t’ju pëlqente”, dëgjohet t’i thotë Carney presidentit amerikan.
Trump u përgjigj shkurt: “Kjo është mirë, më pëlqen”, përpara se biseda të përfundonte.
Marrëveshja mes Kanadasë dhe Kinës ka shkaktuar debat në Uashington, pasi administrata amerikane ka shprehur shqetësime se Kanadaja mund të shërbejë si një pikë hyrëse për automjetet elektrike kineze drejt tregut amerikan. Vetë Trump ka paralajmëruar më herët mundësinë e tarifave të reja, duke deklaruar se nuk do të lejojë që Kanadaja të shndërrohet në një “portë hyrëse” për makinat kineze në SHBA.
Marrëveshja parashikon lehtësimin e pjesshëm të tarifës 100 për qind që Kanadaja kishte vendosur për importet e automjeteve elektrike nga Kina. Në këmbim, Pekini ka pezulluar tarifat hakmarrëse ndaj produkteve bujqësore kanadeze.
Pas publikimit të momentit të kapur nga mikrofoni, ministri kanadez për Tregtinë me SHBA-në, Dominic LeBlanc, deklaroi se çështja e automjeteve elektrike kineze nuk ka qenë një pikë përplasjeje në negociatat mes dy vendeve.
Top Channel