Debat te ‘Ligjet’ për protestën, Blushi: Dëno dhunën e policisë ose dorëhiqu. Manja: Merre me terezi, agjendën e integrimit, nuk ka forcë qe e ndalon

26/10/2026 13:54

Protesta në kryeqytet ngalli debat sot në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Adminisrtatën Publike.

Tedi Blushi kërkoi ndërprerjen e mbledhjes dhe që komisioni të mbajë një qëndrim për veprimet e Policisë gjatë protestës, duke i kërkuar Manjës edhe dorëheqjen.

Nga ana tjetër, Manja iu përgjigj duke theksuar se dhuna duhet dënuar në çdo formë, ndërsa mbrojtjen e rendit të ditës e lidhi me vijimin e agjendës së integrimit.

Pjesë nga debati:

Blushi: Ky komision, përgjegjës për garantimin e ligjit dhe Kushtetutës, nuk mund të bëjë sikur nuk po ndodh asgjë në Shqipëri. Nuk mund të ketë punime normale të jetës parlamentare në kushtet kur ky institucion është rrethuar nga policë e banditë të paidentifikuar, me maska, pra Kuvendi është marrë peng. Dhe kjo ka ndodhur vetëm në regjimet e Pinochetit apo të Gadafit, por nuk mund të ndodhë në Shqipëri.

Së dyti, prisja nga ky komision të dënonin dhunën kriminale ndaj studentëve, thyerjen e kockave, gjakosjen me plumba gome, njëri për pak sa humbi syrin për shkak të dhunës barbare të këtij regjimi, që do ketë fundin e njëjtë me atë të Vuçiçit. Ndaj, kryetar, e di ç’keni marrë përsipër një rol për të vijuar dhe ju, jo me shkopinj dhe plumba gome, por për të vijuar shkeljen flagrante të ligjit, duke përjashtuar 6 deputetë nga parlamenti, që nuk meriton të ekzistojë më. Nuk mund të ketë parlament normal, në kushtet kur shqiptarët janë ngritur në protestë dhe kërkojnë dorëheqjen e panegociueshme të Ramës. Kjo duhet të jetë dhe agjenda e këtij komisioni, veçanërisht në kushte kur qeveria, sikur jam informuar nga mediat, ka ndërmend të marrë një sërë aktesh, të cilat do të certifikojnë këtë regjim gjakatar. Ndaj, zoti kryetar, ndërprisni mbledhjen, agjenda e këtij komisioni duhet të jetë vetëm kërkesat e studentëve që po rrihni. Nuk mund të ketë parlament normal, në kushte kur vendi po rrëshket drejt një diktature, drejt një junte policore ku dhuna po legjitimohet dhe po kthehet në të vetmin instrument qeverisës të kësaj mazhorance. Ndaj ndërprisni urgjent këtë mbledhje ose të diskutojmë kërkesat e studentëve dhe të mbani një qëndrim për atë dhunë që po ushtroni.

Manja: Po, shumë faleminderit, zoti Blushi, keni kërkesa të tjera?

Blushi: Kjo është kërkesa ime, jepni dhe ju dorëheqjen, si kryetar i këtij komisioni që duhet të garantojë zbatimin e ligjit.

Manja: Ka kërkesë tjetër?

Blushi: Kjo është kërkesa ime, kam vetëm një kërkesë, ato janë kërkesat e studentëve dhe të rinisë shqiptare.

Manja: Dakord, faleminderit, zoti Blushi, ditë të mbarë, javë të mbarë, mund të vazhdoni. Ditë e hënë është sot, merreni me terezi këtë punë. Puna e parë që duhet të kishit bërë ju në këtë komision, që është komisioni i ligjeve të Kuvendit i zgjedhur në përputhje me vullnetin e qytetarëve. Puna e parë që duhet të kishit bërë, duhet të ishit bashkuar me ne në dënimin e dhunës mbi policinë e shtetit, mbi institucionet, mbi pronën private dhe publike, padiskutim edhe për dhunën…

Blushi: Kriminale!

Manja: Edhe për tejkalimin e dhunës, por aty ku ndahemi është se ne kërkojmë që institucionet të bëjnë punën e vet, por dhuna duhet të dënohet në çdo lloj forme, dhuna mbi shtetin është ajo që na ndan ne me ju. Ndërsa sa për rolin tim si kryetar i komisionit, por dhe si drejtues i sekretariatit për procedurat e votimit dhe etikën, është një rol që ma ka ngarkuar Kuvendi, sigurisht çdo deputet, përfshirë dhe neve, që në atë sallë dhe këtu shkel rregullat e bashkëjetesës demokratike sa i takon punës në komisione dhe seanca plenare, vetë kemi rënë dakord që të ketë dhe masa disiplinore. Dhe meqë dole këtu, ajo që ndodhi në seancën e 22 tetorit, ku deputetët e opozitës u kacafytën deri në përleshje fizike me kolegët e mazhorancës, është mesazhi më i gabuar që u përcillet qytetarëve. Dhe po të them që ajo nuk na nderon asnjërin prej nesh, kështu që unë do të sugjeroja që këtë lloj dhune që ndodhi në parlament do të duhet ta kishit dënuar, ndërsa sa për të tjerat që ju thoni, regjim etj., zoti Blushi, poshtë atje në katin e dytë është një sallë për konferencat që japin deputetët, mund të dilni atje dhe mund të vazhdoni. Dakord? Ditë të mbarë dhe javë të mbarë. Ndërkohë ne vazhdojmë me rendin e ditës, sepse në fund të fundit agjendën e integrimit, nuk ka forcë që e ndalon në Shqipëri.

 

Top Channel