“Studentët tanë paguhen më shumë se ne”, Manjola Nallbani në Komisionin e Kulturës: Doktoratura s’mund të jetë kriter që të japim mësim

18/05/2026 15:50

Është mbajtur sot komisionin parlamentar për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, ku u diskutua lidhur me pengesat që hasen për avancimin në karrierën artistike dhe akademike të artistëve në vendin tonë.

Prezente në këtë komision ishte dhe këngëtarja e njohur Manjola Nallbani e cila u ndal te problemet lidhur me kualifikimet dhe ndjekjen e doktoraturës, duke thënë se nuk duhet të jetë e detyrueshme që një artist me përvojë të gjatë të privohet nga e drejta e dhënies së mësimit në rast se nuk ka doktoraturën.

“Ne nuk kishim mundësi të ndiqnim doktoraturat, jo se nuk donim. Unë kam shkuar dhe në universitete të tjera dhe kishte stopuar. Ndërkohë vitet iknin, ne kemi vazhduar të bëjmë karrierën tonë që është gjëja më e rëndësishme. Nuk pretendojmë që universiteti të funksionojë vetëm në këtë formë. Kushdo që do të bëjë doktoraturë, sidomos brezi i ri mund të funksionojë me të tjera rregulla, por jo të jetë kriteri që përcakton nëse ne duhet të japim mësim apo jo në Universitetin e Arteve. Unë personalisht përveç 10 viteve soliste në opera, kam 22 vjet mësimdhënie në akademi. Deri më sot besoj se ka munguar dëshira për t’i dhënë një zgjidhje”, tha këngëtarja.

Nallbani u ndal edhe te pagesa e pedagogëve të arteve, duke thënë se paguhen më pak se studentët e tyre që sapo nisin punë.

“Sa i përket pjesës financiare, do thoja që ne, breza të tërë mbarojnë shkollën, janë studentët tanë, disa të shkëlqyer, disa modestë, disa edhe në nivel të ulët, por kur fillojnë punën në cdo institucion tjetër, që ditën e parë marrin pagesë më shumë se ne, dhe këtë mund ta verifikoni. Fillojnë punë në kor të operës, në orkestra e institucione artistike dhe që ditën e parë paguhen shumë më tepër sesa ne që jemi pedagogët e tyre që u kemi dhënë profesionin”, tha Nallbani.

Top Channel