Berisha nxjerr deklaratën noteriale: Altin Dumani ka thënë që jeton me qira. U bë dhëndër pas përfundimit të vilës

18/05/2026 10:38

Para se të hynte në SPAK për zbatimin e masës së sigurisë ‘detyrim paraqitje’, kreu i Partisë Demokratike, paralajmëroi se do ketë lajm.

Jashtë SPAK ai sulmoi sërish ish-kreun e SPAK, Altin Dumanin.

Berisha: Herën e kaluar ju tregova se si Altin Dumani ka deklaruar se ka blerë apartament dhe zyrë me vlerë disa herë më të ulët sesa vlerat e tregut. Sot, unë jam këtu për një denoncim tjetër.

Ky njeri, që kryeson vettingun, është i padenjë për çdo funksion, përveçse për bandën e akuzës. Sot do t’ju tregoj për vilën ku banon Altini. Ai thotë se banon me qira. Me dokumente shtetërore është deklaruar se vila është ndërtuar pothuajse e tëra para martesës së Dumanit, në mënyrë që askush të mos e lidhë ndërtimin e vilës me dhëndrin. Ai u bë dhëndër në atë familje pasi vila kishte përfunduar.

Kur u bë vettingu, prindërit e bashkëshortes paraqitën një deklaratë noteriale, duke deklaruar se paratë i kanë marrë nga një misionar. E kuptoni ju, bamirës i madh, si puna e Rrapush Xhaferit. Kanë qenë afro 45 mijë paund. Se si një misionar jepte 45 mijë paund për një familje, kjo është…

Ndërhyrje nga gazetarët: Ka shërbyer si kishë

Berisha: Edhe kjo është një super mashtrim. Këta që përdorin kishat për mashtrim, s’kanë as Krisht, as Allah, as Budë; janë kryehajdutë. Në deklaratën noteriale thuhet: “Dhëndri ynë s’ka asnjë kontribut financiar në ndërtimin e kësaj vile.” Dhëndri ynë s’kishte pse të fuste dorën në xhep për vilën. Vila është banuar nga familja Pango që nga viti 2000.

Çfarë thonë dokumentet e shtetit? Dumani e deklaron ndërtesën si të ndërtuar në vitin 2000.

Top Channel