Filarmonia e Kosovës në Korçë/ Koncert i veçantë, qytetarët shijuan muzikën e trevave shqiptare

17/05/2026 20:17

Për herë të parë, Filarmonia e Kosovës ka sjellë në qytetin e Korçës një koncert të veçantë, duke dhuruar emocione dhe art për publikun korçar.

Mbrëmja muzikore mblodhi artdashës të shumtë, të cilët ndoqën nga afër interpretimin e veprave të kompozitorëve më të njohur shqiptarë nga Kosova.

Përmes një repertori të kuruar me kujdes, orkestra përcolli vlerat e trashëgimisë sonë muzikore dhe shpirtërore duke përcjellë pasurinë dhe identitetin muzikor të trevave shqiptare.

Një nga momentet më kulmore të koncertit ishte interpretimi i një prej këngëve simbol të Korçës, Dëbora zbardhi malet, e orkestruar në një version krejt ndryshe nga Gridi Kraja.

Performanca u prit me entuziazëm dhe duartrokitje të gjata nga publiku në sallë ndërsa artistët mes emocionesh e vendosën theksin tek vijimi i bashkëpunimit

Koncerti konsiderohet si nisja e një bashkëpunimi kulturor mes dy qyteteve shqiptare. Në muajin shtator, orkestra e Korçës do të performojë në Prishtinë, ndërsa synimi është që dy orkestrat të ngjiten në një skenë të përbashkët, në një koncert që pritet të simbolizojë lidhjen kulturore mes artistëve shqiptarë.

Top Channel