Studimet e fundit, të realizuara nga një grup shkencëtarësh ndërkombëtarë të udhëhequr nga Laurent Truche, faktojnë se në këto galeri të minierës së Bulqizës mund të ekzistojnë rezerva natyrore hidrogjeni, të krijuara nga vetë proceset gjeologjike që kanë formuar këta gurë.

Reaksione të ngadalta, por të vazhdueshme, mes mineraleve të pasura me hekur dhe ujë kanë prodhuar këtë gaz të lehtë, duke e mbajtur të bllokuar në strukturat e nëntokës.

“Studimi i fundit që është kryer dhe publikuar në 2025 me shumë analiza të gazit dhe të ujit, dhe sidomos të gazit me shumë analiza izotopike, konfirmojnë origjinën abiotike të hidrogjenit”, u shpreh Bardhyl Muceku, profesor i Universitetit Politeknik të Tiranës.

“Përmbajtja e gazit e izoluar, duke mos qenë në kontakt me ajrin e minierës apo me atmosferën, janë analizuar gati në 17 laboratorë në të gjithë botën”, u shpreh Muceku.

“Në këto analiza nuk është vetëm kjo analizë që e ka konfirmuar këtë gjë, janë gjithashtu analiza izotopike, që i janë bërë vetë hidrogjenit, pra që konfirmojnë origjinën abiotike”, shprehet profesori.

Studimi i publikuar në revistën shkencore “Science” konfirmon se në galeritë e minierës çlirohet një sasi e konsiderueshme hidrogjeni natyror. Matjet tregojnë se gazi që del nga nëntoka përmban deri në 84% hidrogjen, një përqindje e pazakontë që e vendos Bulqizën mes rasteve më të rëndësishme të dokumentuara deri më sot.

“Ne raportojmë matje të drejtpërdrejta të një shkalle të lartë të nxjerrjes së gazrave prej 84% të hidrogjenit nga miniera e thellë nëntokësore e kromit të Bulqizës në Shqipëri. Një minimum prej 200 tonësh hidrogjen nxirret çdo vit nga galeritë e minierës, duke e bërë atë një nga shkallët më të mëdha të rrjedhjes së hidrogjenit të regjistruara deri më sot”.

“Fakti që prej vitesh, gati tani 10 vite që ky raport nuk ndryshon, pra ne kemi bërë çdo vit analiza dhe raporti i metanit me hidrogjenin është pothuajse i njëjtë, nuk ndryshon, sasia e gazit që del atje është po e njëjtë. Prej më shumë se 10 vitesh kemi një sasi prej 200 tonësh në vit që çlirohen dhe këto të nxjerrin në përfundimin që kemi diçka që nuk po shteron me kalimin e kohës, por nuk është një sasi e madhe për të qenë për momentin me leverdi ekonomike”, u shpreh Bardhyl Muceku.

Deri më sot, hidrogjeni është konsideruar energji e së ardhmes, por që prodhohet me kosto të lartë dhe me ndotje, kryesisht nga gazi natyror. Ndërsa në Bulqizë, ai po del natyrshëm, pa ndërhyrje industriale. Studimi jep një interpretim të qartë, sipas të cilit rezultatet tregojnë praninë e një rezervuari të thellë, të lidhur me një zonë çarjesh tektonike.

U shqyrtuan tre skenarë të ndryshëm për prodhimin e hidrogjenit: dekrepitimi i hidrogjenit të bllokuar në shkëmb, serpentinizimi aktiv në temperaturë të ulët dhe skenari i tretë, çlirimi i hidrogjenit të bllokuar brenda zonës së çarjes, e cila vepron si rezervuar.

Përfundimi është i qartë, rrjedhja aktuale nuk mund të shpjegohet vetëm nga proceset aktive. Kjo e shtyn interpretimin drejt një ideje më të fortë: ekzistencës së një depozite të akumuluar ndër vite. Në këtë kuptim, miniera e kromit nuk është burimi i gazit. Ajo është vetëm pika ku gazi ka dalë në sipërfaqe…

“Ia vlen që të studiohet këtu në rastin e masivit të Bulqizës, sepse kemi fatin e mirë që ne mund të hyjmë deri në thellësi deri në 1 mijë metra”, thotë Muceku.

Nëse kemi një rezervuar, atëherë lind menjëherë pyetja: sa i madh është dhe a mund të shfrytëzohet duke sjellë përfitim ekonomik? Duhet thënë se studimi ngre disa kufizime të qarta. Nuk dihet me saktësi sa shpejt rigjenerohet ky gaz, sa është jetëgjatësia e rezervuarit dhe çfarë ndikimi do të kishte ndërhyrja njerëzore në këtë sistem delikat.

“Duke marrë parasysh diapazonin e vlerësuar të vëllimit të çarjes dhe të njëjtin porozitet, shkalla e matur e rrjedhjes mund të mbahet për 25 deri në 238 vjet. Me fjalë të tjera, sasia totale e hidrogjenit e ruajtur në zonën e çarjes do të varionte nga 5000 deri në 50,000 ton”.

“Është një diapazon shumë i gjerë, nëse do të ishte 5 mijë nuk do të ishte me leverdi e madhe, nëse do të ishte 50 mijë sigurisht që do të kishte një leverdi mesatare për ekonominë”, u shpreh Bardhyl Muceku, profesor i Universitetit Politeknik të Tiranës.

Top Channel