Inside Story/ Fijet që lidhin ish-numrin 2 të AKSHI-t me investimin 27 mln euro në Jug, a ishte në kantier ditën që u raportua pengmarrja…?!
Një provë e fortë e raporteve të konsoliduara financiare që krijohen formalisht sa për të qenë me letra në rregull, është edhe adresa “Rruga e Kavajës”, Kompleksi “Garden Building”, Kulla 24, kati 6, Apartamenti 2A.
Nëse kthehemi prapa në kohë, në vitin 2018, kompania ‘Alu Glass’ ka lidhur 2 kontrata furnizimi me subjektin zhvillues “Nova Konstruksion”. Pra, kontrata të majme që flasin për furnizimin e një godine me 24 kate.
Sot, pikërisht në atë kullë strehohen kompanitë e Daniel Shimës si “Digital Euphoria”, subjekti i lavazheve “E-Lava” dhe “Blitz Facility Management”.
Një rregull investigues ndjek parimin sipas të cilit, “kur na shfaqen disa informacione në dukje rastësore, por të lidhura mes tyre”, atëherë këtu nuk mund të ketë më një rastësi…
“Ne dimë nga ky rast, nga hetimet që janë bërë deri tani, se ka elementë të investimeve të caktuara nga kompani që kanë marrë këto paratë e tenderave të AKSHI-t dhe i kanë investuar p.sh. në ndërtim. Ndërtimi është vlerësuar si një treg i cili është me shumë risk sa i përket pjesës së pastrimit të parave në përgjithësi”, u shpreh Emirjon Senja, gazetar.
“Paratë e këtij tenderi të fryrë kalojnë nga njëra kompani në një kompani tjetër për t’u kaluar pastaj ose si investime të një biznesi të caktuar në sektorë të ndryshëm, siç përmendëm më parë ndërtimin, ose si para të kaluara gjoja të faturuara për një shërbim i cili në fakt nuk është bërë, siç mund të jenë shërbimet IT, ose për të blerë çokollata dhe ëmbëlsira”, shprehet gazetari.
Nga rrethi familjar, tek e dashura dhe tashmë: gjurmët që lidhen me ish-njeriun e rëndësishëm në AKSHI janë përhapur më gjerë. Por, kontrolli i parave nuk humbet kurrë.
E tillë është edhe skema e investimeve në restorante luksoze, fillimisht me “Magnus”, dhe tani në një degëzim të ri.
Inside Story ka zbuluar një tjetër restorant që lidhet sërish me të njëjtin emër: Daniel Shima.
Në qershor të vitit 2023, nën emrin e Amir Gjokmelit, kuzhinier me profesion, hapet restoranti “D’Amir”.
Pyetja që ngrihej natyrshëm ishte burimi i investimit nga një profesionist i gastronomisë, por pa mundësi kapitali të rëndësishëm.
Vetëm 1 muaj pas themelimit, subjekti hap dy adresa të reja dytësore. Pra, dy degë të ushtrimit të aktivitetit. Ky zgjerim i shpejtë nuk mund të shpjegohet me histori suksesi në një kohë që kompania sapo ishte krijuar.
Në korrik të vitit 2024 shtohet një tjetër adresë e re aktiviteti. Por, ky sukses i madh shumë shpejt ngre një pikëpyetje të madhe. Si ka mundësi që biznesi do të shitej vetëm pas 2 vitesh nga themelimi, në tetor të vitit 2025?
Këtu është momenti kur historia zbulon të vërtetën dhe investitorët realë.
Blerësja e restorantit luksoz është shtetasja Albana Lopçi. Në fakt, dyshohet se ajo është thjesht fasada. Albana është mikeshë e afërt e Daniel Shimës dhe të dashurës së tij Enkeleda Hysa. Madje, ajo ishte e punësuar te kompania e Shimës ‘Digital Euphoria’.
Pra, investimi në restorantin luksoz kontrollohet përmes një tjetër prestanome nga Shima. Kalimi i pronësisë është thjesht rruga e humbjes së gjurmëve që, në fakt, nuk janë shuar totalisht dhe SPAK mund t’i verifikojë ende.
“Eksperienca ndërkombëtare e ka treguar këtë. Edhe SPAK-u ka treguar që është duke ndjekur paranë për të zbërthyer mekanizmin e korrupsionit të AKSHI-t”, u shpreh Emirjon Senja, gazetar.
Edhe kryerja e kontratës së shitjes nuk mund t’i lihet rastësisë. Notere është Margena Cela, sërish mikeshë e ngushtë e të dashurës së Daniel Shimës. Pra, asgjë nuk është rastësi…
Vlera e shitjes së restorantit është 100 mijë lekë të reja, një vlerë që synon të justifikohet me kapitalin e shoqërisë, por në restorant janë investuar miliona.
Veprimet sërish kryhen nga noterja Margena Cela.
Nëse shohim pamjet, është e qartë se investimi ka vlera kolosale. Pavarësisht kapitalit themelues, asetet vlejnë qindra mijëra euro. Këto janë lëvizje në dukje ligjore, por fshehin aktivitetin e investimit dhe pastrimit të parave nga korrupsioni.
Informacionet sugjerojnë se i njëjti person që bleu restorantin në fjalë po merr në duar edhe administrimin e dy hoteleve luksoze që janë në proces nga Daniel Shima, përmes kompanive të lidhura që zbuluam në investigimin e mëhershëm.
Po ashtu, ka të dhëna që sugjerojnë se zonja në fjalë është përfshirë edhe në administrimin e një projekti tjetër madhor në bregdetin e Jugut…
“Sipas asaj që ne kemi parë nga dosja e SPAK-ut, tenderat projektoheshin dhe fituesit e tenderave paracaktoheshin që në gjenezë, që te përgatitja e kritereve teknike ose e thënë ndryshe si një kostum i cili qepej sipas masave trupore të një personi të caktuar që në rastin konkret ishte një kompani që ishte planifikuar që do të fitonte. Pasi bëhej e ashtuquajtura garë, pra tenderi, kompania nuk kishte më nevojë të garonte sepse të tjerët skualifikoheshin paraprakisht nëpërmjet kritereve teknike”, u shpreh Emirjon Senja, gazetar.
Në fund, por jo për nga rëndësia, do të fokusohemi në një tjetër degëzim të investimeve të ish-numrit 2 të AKSHI-t.
Më 16 korrik 2024 krijohet shoqëria “Bliss Company”, me adresë në rrugën “Asim Vokshi”, Pallati Onufri. Subjekti ka si aktivitet rekrutimin e emigrantëve të huaj.
Nuk duhet të paragjykojmë, por ky është një aktivitet që, referuar 2 investigimeve të mëhershme të Inside Story, shpesh ka shërbyer për trafik të qenieve njerëzore ose mashtrim.
Themeluese e kompanisë ishte Uendi Shevroja. Sipas kërkimeve tona, rezulton se kjo shtetase punonte si teknike web-i në kompaninë “Digital Euphoria”.
Këtu, situata qartësohet për investitorët realë…
Subjekti në fjalë ndryshon strukturën e aksionerëve vetëm 1 muaj pas themelimit. Në gusht 2024, 60 % e aksioneve shiten nga Uendi Shevroja tek Sonila Shevroja për 60 mijë lekë, një skemë qarkullimi e përdorur rëndom për humbjen e gjurmëve.
Pra, teksa SPAK heton për AKSHI-n, perandoria ekonomike e Daniel Shimës vetëm zgjerohet. Nëse ai u mor në hetim penal për disa akuza, pyetja që ngeli ishte çfarë po ndodh me hetimin pasuror…
“Është një dëshmi e një drejtuesi të AKSHI-t që thotë që shefja ime ka marrë nga një biznesmen 200 mijë euro në një kuti vere dhe rrjedhimisht ti dëshminë e ke. Pra, SPAK në rastin konkret dëshminë e ka dhe duke ndjekur rrjedhën e parasë patjetër mund të zbulojë fakte. Ose te një dëshmi tjetër që thotë se një person është në letra pronar i një vile në Golem, ndërsa në fakt ai thotë “nuk e di ku i bie Golemi dhe nuk kam qenë ndonjëherë atje'”, u shpreh Emirjon Senja, gazetar.
“Ka dëshmi të një kontabilisteje që thotë që një drejtor tatimesh në kryeqytet ka ndihmuar në pjesën e pastrimit të parave të paligjshme që janë gjeneruar nga tenderat e AKSHI-t. Kështu që gjurmë ka kudo”, u shpreh Emirjon Senja, gazetar.
“Fatmirësisht, paratë jashtë apo brenda sistemit bankar lënë gjurmë. Kërkojnë kohë, kërkojnë mjete të sofistikuara, kërkojnë burime njerëzore të cilat fatkeqësisht deri tani ne nuk i kemi dhe mbi të gjitha kërkojnë një devotshmëri që deri tani struktura e posaçme e ka treguar”, u shpreh Arber Hoxha, avokat.
Gjurmët janë aty, transaksionet janë aty!
Nëse SPAK goditi me sekuestro pasuritë e disa prej protagonistëve të abuzimit me tenderat e AKSHI-t si Mirlinda Karçanaj, Ermal Beqiri, Ergys Agasi etj., grupi rival po mbretëron.
Madje, siç zbuluam në dy investigime, Daniel Shima po ristrukturon dhe ndryshon prestanomet e perandorisë së tij ekonomike…
Nëse nuk ndërhyhet sot, nesër do të jetë vonë! Nëse nuk sekuestrohen pasuritë e korrupsionit dhe t’i rikthehen arkës së shqiptarëve, atëherë beteja me të keqen është e humbur…
Parimi mbetet i pandryshuar: Ndiq paratë…!
Top Channel