Dita e tretë e protestës në Tiranë për Zvërncein, qytetarët marshojnë nga sheshi “Skënderbej” te Ministria e Brendshme dhe Kryeministria Rikualifikimi i godinës ikonike në kryeqytet do të bëhet nga studio arkitekturore Herzog de Meuron Basel, që u shpall fituese e Konkursit Ndërkombëtar, organizuar nga Koorporata Shqiptare e Investimeve.
Juria e vlerësoi projekt idenë për kontributin, që sipas saj, do të ketë në zhvillimin e mëtejshëm të Tiranës si një hapësirë shumëdimensionale.
“Na la mbresë mënyra si ky projekt nderon këtë ndërtesë. Ju e quani të ndërtosh mbi ndërtim dhe në fakt projekti është në harmoni me atë që ekziston. Ofron më shumë hapësira për të gjithë”, tha kryetarja e jurisë, Mari Randsborg.
Kryeministri Edi Rama u shpreh më herët se rijetëzimi i Pallatit të Kongreseve është më i nevojshëm se kurrë për ta sjellë sipas standardeve bashkohore.
“Qëllimi përfundimtar është që ky pallat të vijë në kohë nga pikëpamja e teknologjisë, nga pikëpamja e cilësisë së hapësirave, nga pikëpamja e gjithë strukturës së riorganizuar dhe të riangazhuar cilësisht, por edhe që ky pallat dhe kjo zonë, të bëhet një destinacion tjetër i Tiranës turistike”, tha kryeministri Rama.
Koncepti i ekipit të Herzog de Meuron Basel, pjesë e të cilit janë dhe konsulentë shqiptarë parashikon ruajtjen e autenticitetit të godinës, duke riprojektuar ambientet e brendshme me synim zgjerimin e hapësirave dhe përmirësimin e akustikës dhe ndriçimit. Do të ketë librari, kafene, mundësi për ekspozita, panaire, aktivitete artistike për të gjitha grupmoshat.
Pallati i Kongreseve do të lidhet me një kullë 225 metër të lartë, që do të shërbejë edhe për hoteleri dhe ambiente zyrash. Në prezantimin e tyre, arkitektët u shprehën se rreth Pallatit të Kongreseve do të ketë më shumë gjelbërim, ndërsa tarraca do të hyjë në përdorim dhe do të përdoret gjatë 24 orëve për takime pune dhe argëtim.
Top Channel