Putin kërkoi ish-kancelarin Schröder si ndërmjetës për negociatat Rusi-BE, reagon qeveria gjermane: Nuk është i besueshëm

11/05/2026 10:34

Qeveria gjermane ka hedhur poshtë propozimin e presidentit rus, Vladimir Putinit që ish-kancelari Gerhard Schröder të marrë rolin e koordinatorit të bisedimeve të mundshme midis Rusisë dhe Bashkimit Evropian për të arritur një marrëveshje paqeje në Ukrainë.

Qëndrimi i Moskës erdhi pas deklaratave të fundit të Presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa, i cili kishte vlerësuar se ekzistonte një “mundësi” për negociata midis Bashkimit Evropian dhe Rusisë, si dhe për një diskutim mbi arkitekturën e ardhshme të sigurisë së Evropës.

Putin ka thënë se nëse do të zhvilloheshin bisedime të tilla, Schroeder do të ishte zgjedhja e tij e preferuar për ndërmjetës.

Por një zyrtar gjerman, duke folur për Reuters në kushte anonimiteti, e quajti propozimin të pabesueshëm, duke thënë se Rusia nuk kishte ndryshuar asnjë nga qëndrimet e saj themelore.

Zyrtari tha se një shenjë e parë e qëllimit serioz nga Moska do të ishte gatishmëria e saj për të zgjatur një armëpushim tre-ditor të propozuar nga Donald Trump. Ai gjithashtu akuzoi presidentin rus se ka bërë vazhdimisht “propozime të rreme” që synojnë të shkaktojnë përçarje në aleancën perëndimore.

Gerhard Schröder mbetet një figurë kontroverse në Gjermani për shkak të lidhjeve të tij të ngushta me Rusinë dhe personalisht me Putinin. Pasi la postin e kancelarit në vitin 2005, ai pothuajse menjëherë mori përsipër detyrën e kryetarit të një konsorciumi gjermano-rus për tubacione gazi, një veprim që solli kritika të ashpra në vend.

Një zëdhënës i qeverisë gjermane tha të premten se Berlini nuk kishte parë shenja se Moska ishte vërtet e interesuar për negociata serioze. Ai theksoi gjithashtu se çdo bisedë midis Rusisë dhe Bashkimit Evropian do të duhej të zhvillohej në koordinim të ngushtë me shtetet anëtare të BE-së dhe Ukrainën.

Top Channel